Një ushtari hungarez, që shërbeu në forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, KFOR, i është hequr këmba pas lëndimeve që ka marrë në përleshjet me protestuesit serbë në veri të Kosovës.
Më 29 maj, gjatë protestave të vazhdueshme të serbëve në komunat veriore, janë sulmuar dhe lënduar 30 ushtarë të KFOR-it.
KFOR-i ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ushtarit hungarez i është amputuar këmba, duke shtuar se të gjithë ushtarët e lënduar “janë kthyer në shtëpitë e tyre”.
Më herët, mediat në Hungari kishin raportuar për amputimin e këmbës së ushtarit.
Përveç 19 ushtarëve hungarezë, atë ditë në komunën e Zveçanit, janë lënduar edhe 11 ushtarë italianë.
Tre nga ushtarë të Hungarisë ishin plagosur me armë zjarri.
Serbët në katër komunat veriore të Kosovës janë duke protestuar që nga 26 maji, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri.
Pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, NATO ka angazhuar 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë të dislokuar në Kosovë.
Top Channel