Psikologu apo punonjësi social kanë ardhur më afër se kurrë shtëpive tona.
50 Qendra Shëndetësore në të gjithë vendin e ofrojnë këtë shërbim, ndërsa 50 të tjera pritet të plotësohen së shpejti me të.
Këtu jemi në Qendën Shëndetësore 10 në Tiranë, që ofron shërbime shëndetësore për një popullatë prej 80 mijë banorësh. Këtu gjejmë psikologun klinik Andi Petro.
“Ky shërbim ofrohet këtu që nga dhjetori I 2022. Nuk kushton asnjë lek, merret falas nga të gjithë. Më tepër e kërkon mosha e adoleshencës, të rinj nga 15 deri në 18 vjeç si dhe mosha e mesme, por sidomos pensionistët. Problematikat që spikasin janë ankthi dhe depresioni.
Tek të rinjtë është pjesa e pasigurisë që kanë në vetvete, problemet në shkollë, me mësimet, me shoqërinë, problemet me perspektivën, të ardhmen, kush do të bëhen dhe çfarë drejtimi do të marrë jeta e tyre, dilemat për profesionet dhe degët që do të zgjedhin në universitete. Pensionistët ankohen për vetminë, braktisjen dhe largësinë me fëmijët, mungesën e motivimit të përditshëm, përveç sëmundjet kronike që mund të kenë”, tha Andi Petro, Psikolog Klinik, QSH 10 në Tiranë..
“Po ku ka më mirë se ta marrësh edhe këtë shërbim të ri në ambulancën tënde, këtu ku banoj dhe kam kartelën. Pse duhet të sorollatem unë, kur e kam këtu psikologun apo punonjësin social?”, tha një qytetare.
Top Channel