Anëtar i Wagner? Ambasada e Ukrainës në Beograd në “terr” informativ për vdekjen e vullnetarit serb

07/07/2023 15:53

Ambasada e Ukrainës në Beograd nuk ka informacione të verifikuara për vdekjen e shtetasit serb Urosh Përvulloviç, thuhet në një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë.

Autoritetet shtetërore të Serbisë ende nuk i kanë konfirmuar apo mohuar spekulimet për vdekjen e vullnetarit serb Urosh Përvulloviç, i dyshuar si anëtar i organizatës paraushtarake Wagner, në luftimet pranë Bahmutit, në lindje të Ukrainës.

Ambasada thekson se informacionet për aktivitetet e Urosh Përvulloviçit, para së gjithash, duhet të shqetësojnë strukturat e sigurisë së Serbisë.

Kontakte të tilla të Urosh Përvulloviçit (nëse kanë ndodhur) duhet të shqetësojnë para së gjithash strukturat e sigurisë së Serbisë, legjislacioni i së cilës e ndalon jo vetëm terrorizmin, por edhe mercenarizmin”, thuhet në letrën e Ambasadës drejtuar REL-it.

Sipas informacioneve, të cilat po shpërndahen në disa grupe në rrjetet sociale, Urosh Përvulloviç është vrarë më 28 prill, ndërsa informacionet për varrimin janë transmetuar të mërkurën, më 5 korrik.

Siç është raportuar në kanalin në platformën Telegram, RatUzivo, Urosh Përvulloviç u varros në varrezat në Donjeck, me flamurin serb dhe këngën “Atje larg”.

Sipas dëshmive të ish-luftëtarëve të këtyre grupeve paraushtarake, si dhe fotografive nga rrjetet sociale, besueshmërinë e të cilave REL-i nuk mund ta konfirmojë, Përvulloviç ka qenë në fushëbetejë në Ukrainë që nga viti 2015, kur mori pjesë në betejat afër Donbasit.

Ai ishte anëtar i të vetëquajturës milici popullore e Republikës Popullore të Donjeckut. Në mesin e vitit të kaluar, ai u bë anëtar i Wagner-it, thuhet në një përkujtim të publikuar në kanale të shumta të Telegram-it.

Top Channel