Forcat ruse dhe ato ukrainase kanë përdorur municione thërrmuese që kanë vrarë civilë ukrainas, tha organizata Human Rights Watch (HRW) në një raport të publikuar më 6 korrik.
Ky raport i HRW-së vjen në kohën kur Shtetet e Bashkuara po e shqyrtojnë kërkesën e Qeverisë ukrainase, e cila po kërkon nga Uashingtoni që ta furnizojë me municione të tilla.
HRW u bëri thirrje Rusisë dhe Ukrainës që të ndalojnë së përdoruri bombat thërrmuese dhe i bëri thirrje SHBA-së që të mos e furnizojë Ukrainën me municione të tilla.
Mbi 120 shtete kanë nënshkruar një traktat ndërkombëtar që ndalon përdorimin e municioneve thërrmuese. Këto municione janë raketa dhe bomba që shpërthejnë në ajër mbi një objektiv dhe lëshojnë shumë pajisje të vogla shpërthyese.
Rusia, Ukraina dhe SHBA-ja nuk e kanë nënshkruar këtë traktat.
Një zyrtar i lartë në Pentagon tha javën e kaluar se municionet thërrmuese mund të jenë të dobishme për Ukrainën në përpjekjet e saj për të larguar nga territori forcat ruse. Megjithatë, ky zyrtar tha se vendimi për furnizimin e Kievit me municione të tilla nuk është miratuar ende për shkak të kufizimeve që ka vendosur Kongresi dhe për shkak të shqetësimeve të shprehura nga aleatët.
Ukraina ka përdorur municione thërrmuese në territorin e kontrolluar nga rusët në dhe përreth qytetit ukrainas të Izjumit, që gjendet në lindje, vitin e kaluar, pasi Rusia nisi pushtimin e fqinjit të saj, tha HRW. Kjo organizatë tha se ky konstatim mbështetet në intervistat me mbi 100 banorë, dëshmitarë dhe personelin lokal të emergjencave.
Nga sulmet ukrainase janë vrarë të paktën tetë civilë dhe janë plagosur edhe 15 të tjerë në Izjum, tha HRW.
Kjo organizatë paraprakisht kishte raportuar se Rusia kishte përdorur municione thërrmuese në Ukrainë, që kishin shkaktuar vdekjen e shumë civilëve. Po ashtu, Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara ka dokumentuar përdorimin e municioneve të tilla nga të dyja palët.
“Municionet thërrmuese të përdorura nga Rusia dhe Ukraina po vrasin civilët tani dhe do të vazhdojnë t’i vrasin edhe për shumë vite të tëra”, tha Mary Wareham, drejtoreshë për armët në HRW. “Të dyja palët duhet që menjëherë të ndalojnë së përdoruri municione të tilla dhe të mos tentojnë të furnizohen me armë të tilla”, tha ajo përmes një deklarate.
Qeveria ukrainase i ka bërë thirrje Kongresit amerikan që t’i kërkojë administratës së presidentit Joe Biden të miratojë dërgimin e bombave thërrmuese.
Top Channel