Ministria e Jashtme e Kosovës konfirmon pranimin e 13 marrëveshjeve të nënshkruara nga Shqipëria

06/07/2023 14:22

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë ka konfirmuar pranimin e 13 marrëveshjeve të përbashkëta Kosovë-Shqipëri.

Përmes një e-maili zyrtar, në përgjigje të interesimit të Top Channel, MPJD shkruan se: “Ju njoftojmë se sot i kemi pranuar 13 marrëveshje nga Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë.”

Më herët kryeministri Edi Rama, pas shqetësimit të shprehur nga Albin Kurti, njoftoi se pala shqiptare ka nënshkruar 13 marrëveshjet, dhe ato gjenden në Ministrinë e Jashtme të Kosovës.

Sipas kreut të ekzekutivit, me firmosjen nga ana tjetër të palës kosovare ato hyjnë në fuqi menjëherë. 13 marrëveshjet e dakordësuara paraprakisht, por të mbetura pezull për shkak të anullimit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive më 14 qershor, u vendosën si “kusht” nga Albin Kurti për takim me Ramën.

Pavarësisht përmbushjes së këtij kushti parësor, ende nuk ka një përgjigje nga qeveria kosovare për pranimin apo refuzimin e një takimi Rama-Kurti. Megjithatë, Rama është shpresëplotë se Kurti do të mund të konfirmonte një takim të përbashkët në orët që vijnë.

Turi dy ditor i kryeministrit në 6-7 Korrik përfshinë, Kosovën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën. I paraprin mbajtjes të samitit për Procesin e Berlinit në Tiranë në tetor.

Pak ditë më parë kryeministri Rama deklaroi se Ballkani i Hapur ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi. Në këtë mënyrë ai lajmëroi fundin e nismës “Open Ballkan” në të cilën aktivisht ishin anëtarë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut dhe që u pranua nga Mali i Zi, por jo Bosnja dhe Kosova.

Në foto: Mbledhjet e dakordësuara

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA