Policia e Shtetit shprehet e gatshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike në DPPSH, Drejtues i Lartë Rebani Jaupi, ka inspektuar sot qarkun Durrës, për të parë në terren zbatimin e masave të ndërmarra për sezonin veror.
Jaupi u bën thirrje administratorëve të subjekteve që ushtrojnë aktivitetet përgjatë vijës bregdetare apo në zonat urbane, që të respektojnë orarin e muzikës, të mos krijojnë shqetësime për pushuesit dhe banorët.
“Policia e Shtetit ka marrë masa për rregullimin e trafikut, ndaj iu bëj thirrje të gjithë përdoruesve që të zbatojnë më korrektësi Kodin Rrugor, sepse të gjitha akset monitorohen me radarë dhe makina inteligjente”, është shprehur Jaupi.
Policia ka në fokus dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, duke vazhduar kontrollet në territorin shqiptar.
Krijimi i Njësisë Policore Detare, sipas policisë, ka ndikuar pozitivisht në rritjen e forcës goditëse të Policisë Kufitare.
Gjatë kësaj periudhe, janë ndëshkuar me masa administrative drejtuesit e dhjetëra mjeteve lundurese, kryesisht mjeteve lundruese për argëtim (skaf, gomone), për mungesë dokumentacioni, si dhe janë bllokuar 60 mjete të tilla që janë konstatuar në paligjshmëri ose në cenim të perimetrit të sigurisë.
Deri tani, janë evidentuar 21 raste të këtyre paligjshmërive dhe janë proceduar penalisht administratorët e subjekteve që kanë prishur qetësinë publike duke vënë muzikë të lartë apo kanë zënë hapësirat publike duke vënë çadra dhe shezlongë.
Top Channel