Pas mosmarrëveshjesh e debatesh të ashpra, buxheti federal i Gjermanisë për 2024-tën mori dritë jeshile, e po kështu u miratua edhe plani financiar i vendit deri në vitin 2027.
Prioriteti i ministrit të Financave Christian Lindner do të jetë rinovimi i infrastrukturës së të gjitha mënyrave të transportit, dixhitalizimi i strukturave shtetërore dhe forcimi i ushtrisë. Të tjerët duhet të shtrëngojnë rripin. Ministrisë së punëve të jashtme i zvogëlohet dukshëm buxheti me 17 përqind.
Pas vendimit të kabinetit, kancelari Olaf Scholz e cilësoi sigurinë si fokus qendror të planifikimit buxhetor.
“Projekt-buxheti ka përparësi që janë të dukshme. Para së gjithash, bëhet fjalë për sigurinë e vendit tonë. Siguria është një sfidë e madhe – dhe natyrisht kjo do të thotë edhe sfida për pjesën tjetër të buxhetit”, u shpreh Olaf Scholz.
Scholz e cilësoi prioritetin e dytë të buxhetit federal si mundësi për të siguruar që Gjermania të mbetet “një vend modern i industrializuar”. Kancelari përmendi ristrukturimin e ekonomisë drejt neutralitetit të klimës, por edhe zgjidhjen e kompanive teknologjike si fabrikat e gjysmëpërçuesve. Në vend të tretë, Scholz foli për “sigurimin e kohezionit të shoqërisë”.
Bëhet fjalë për “të bërë gjithçka që është e nevojshme në mënyrë që të gjithë të mund të përballojnë”. Ndërkohë, çështja që ka ngjallur më shumë debat kohët e fundit është ajo e sigurisë bazë për fëmijët. Ky është një nga projektet kryesore të krahut të majtë të qeverisë që është parashikuar të vihet në zbatim duke filluar nga viti 2025.
Lindner ka llogaritur dy miliardë euro, shumë më pak nga 12 miliardë eurot që kishte parashikuar ministrja e Familjes, Lisa Paus. Zvogëlohet po kështu dhe fondi për prindërit, Elterngeld që jepet për 14 muajt e para pas lindjes së fëmijës.
Top Channel