Teksa studentët e mjekësisë protestojnë para Parlamentit kundër projektligjit që i detyron të qëndrojnë pesë vite në Shqipëri pas studimeve, ish-kryeministri Sali Berisha në Foltore u shpreh se ky është një akt i pashembullt.
Sipas Berishës, ky ligj dëmton studentët dhe ka në thelb vjedhjen.
“Ju me procedurë të përshpejtuar, pa asnjë konsultim, jashtë çdo lloj standardi të ligjbërjes, keni sjellë këtu për të kaluar gjysmë fshehtas një ligj i cili ndëshkon çdo student, çdo të ri që ëndërron të diplomohet mjek në këtë vend. Me këtë ligj në fakt ju shkatërroni edhe bastionin e fundit të këtij sistemi jetik për qytetarët shqiptarë, shkatërroni Fakultetin e Mjekësisë.
Ky ligj i marrë hua nga Kuba aktuale, bëhet gjoja në mbrojtje të shërbimit publik për qytetarët në zonat periferike. Në thelb, ai ka në themel vjedhjen, vjedhjen dhe vetëm vjedhjen e shumave kolosale që ju bëni”.
Ju po i tregoni kamxhikun mjekëve të rinj, iu drejtua Berisha qeverisë.
“Në vend që të përdorni stimulin, interesin e mjekut të ri për të shërbyer në zonat në të cilën ka mundësi të marrë një rrogë më të madhe, të shpërblehet për një start më të mirë ekonomik për jetën e tij, ju i tregoni kamxhikun sot dhe i kërkoni në mënyrën më absurde që ai të firmosë, se do të shërbejë 5 vite në periferi apo në Shqipëri dhe pastaj mund të largohet nga Shqipëria.
Ju u tallët me këtë sistem. Në kulmin e covid-it një vend shumë më i zhvilluar se ne, anëtar i BE-së, kur konstatoi se mjekë dhe infermierë po largoheshin me shpejtësi drejt Gjermanisë, dhe kjo është Hungaria, vendosi rroga të njëjta me Republikën Federale Gjermane.
Sigurisht që është e kushtueshme, jo e lehtë, por është e detyrueshme nëse do të mbash një sistem shëndetësor në shërbim të qytetarëve. Kurse ju u tallët, i përdorët për paradë, për të mashtruar, për të maskuar krimin tuaj të shëmtuar, me të cilin ju jeni përgjegjës për vdekjen e mbi 20 mijë shqiptarëve nga Covid, ngjitjen e Shqipërisë në 3-4 vendet me vdekshmërinë më të lartë në botë”.
Me 64 vota pro të socialistëve dhe kundërshtimin e opozitës, në seancën e sotme plenare u vendos që projektligji për parandalimin e largimit të mjekëve, të kalojë në Kuvend me procedurë te përshpejtuar.
Pas konsultimit brenda dy javëve në komisione parlamentare në atë të edukimit dhe të ligjeve, pritet që në seancën e 20 korrikut, të fundit për këtë legjislaturë, të miratohet drafti për studentët e mjekësisë që i detyron ata të qëndrojnë në Shqipëri deri në 5 vite pas diplomimit.
Ky është kusht i detyrueshëm për studentët që regjistrohen për herë të parë në Fakultetin e Mjekësisë vitin e ri akademik, ndërsa për studentët e viteve të dyta deri në të gjashta detyrimi për të punuar është deri në 3 vite, ose mund të zgjedhin të paguajnë tarifën e studimit 13-14 herë më shumë nëse kundërshtojnë mbajtjen e diplomës pas përfundimit të shkollimit.
Top Channel