Rreth 90 minuta larg Tiranës gjendet qyteza e Ulzës, një ndër destinacionet më të bukura që ofron Shqipëria për çdo turist vendas e të huaj që dëshiron të eksplorojë bukuritë natyrore, lumin, liqenin, malin, ndërtesat e vjetra plot histori apo edhe një kulinari të pasur.

Pak përpara se të shkosh në Ulëz nuk mund të rrish pa u ndalur në Liqenin e Shkopetit, një ndër liqenet më panoramike në Shqipëri, aty ku çdo gjë duket e paqtë dhe e paprekur. Sipërmarrësit e disa lokaleve të vogla aty shprehen se shëtitja me varkë dhe peshkimi janë alternativa shumë të mira në këtë zonë.

 “Është vend i bukur dhe vizitorët më të shumtë janë gjermanët, polakët, hollandezët, çekët, sllovakët të cilët  vijnë me kamper, çadra, me motora, apo me tenda e janë shumë të kënaqur me vendin që gjejnë. Ajo që është më e rëndësishme është se ata kthehen prapë. Këtu ofrojmë disa lloj shërbimesh si varkat, skafet, kanoet dhe po bëhemi gati edhe për guida mali për hiking”, tha një sipërmarrës.

Rruga që të çon për në Parkun Rajonal të Ulzës është e gjitha e asfaltuar. Turistët e huaj dhe vendas kanë mundësi të shumta për të bërë hiking, për të eksploruar shtigjet, për të shfrytëzuar hapësirën e bukur që ofron kjo zonë

 “Më pëlqejnë rrugët, restorantet, ja u rekomandoj të gjithëve”

 “I them gjithë shqiptarëve që të vijnë ta vizitojnë këtë vend. Ne është hera e parë që vijmë, është shumë bukur, ushqimi, mikpritja… gjithçka.”

“Është hera e parë për ne, vijmë nga Franca , dhe vendosëm të vizitonim këtë vend e pamë në google, dhe është shumë bukur. Nuk e prisnim të kishte peisazh kaq madhështor.”

“Na pëlqen shumë, konsumuam ushqime shumë shumë të mira me një çmim shumë të lirë”.

Ushqimet tradicionale të zonës me çmime konkurruese dhe ndërthurja e ekosistemit malor dhe ujor janë pikat e forta te kësaj qyteze turistike që ka tërhequr vizitorët e huaj në vitet e fundit.

“Ka dy tre vite që po shtohen shumë turistët sidomos nga Italia , Zvicra, Anglia. Është një vend më shumë për peshk dhe mish keci, dhe nga ana e Kosovës vijnë shumë. Çmimet janë konkurruese. Ajri është i pastër, liqenet dhe malet po ashtu turistët mund të ecin dhe të eskplorojnë sa më shumë dhe sa më lart të ecin aq më bukur është, dhe bën dhe plazh këtu.”

I gjendur mes Bashkive Mat dhe Mirditë, parku Rajonal i Ulzës ka shumë për t’i ofruar turistëve përgjatë gjithë vitit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA