Meteorologët italianë e konfirmojnë: Fundjava pritet të sjellë rikthimin e anticiklonit afrikan drejt Mesdheut qendror.
Një masë ajri të nxehtë që ngrihet nga Algjeria dhe Tunizia do të godasë rajonin, duke sjellë një përvëlim të ri. Ekspertët flasin për vapë ekstreme sidomos në ishujt kryesorë, ku temperaturat do të nisin rritjen që këtë të premte. Në disa pjesë të Sardenjës, sipas mediave në Itali, termometri mund të shënojë deri në 40 gradë Celsius.
Kjo valë të nxehti, që do të prekë dhe Shqipërinë, duket se do të zgjasë edhe javën e ardhshme. Do të jetë vapë edhe gjatë natës, thotë shtypi Italian. Kjo situatë vjen në një kohë kur temperaturat pritet të rriten më tej në pjesë të mëdha të botës pasi fenomeni El Nino u shfaq në pjesët tropikale të Paqësorit për herë të parë në shtatë vjet, e pohuar nga Organizata Botërore e Meteorologjisë.
Një valë e madhe të nxehti ka përfshirë sakaq edhe pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara. El Nino, një fenomen i ngrohjes së temperaturave të sipërfaqes së ujit në Oqeanin Paqësor lindor dhe qendror, është i lidhur me kushtet ekstreme të motit nga ciklonet tropikale, reshjet e dendura deri tek thatësira ekstreme.
“Bazuar në modelet tona të parashikimit të motit, mes viteve 2023 dhe 2027 do të kemi një vit me temperatura rekorde në tokë, që do të tejkalojnë temperaturat normale me 1.5 celsius. Kjo do të shkaktohet nga efekti El Nino dhe ngrohja antropogjene. Ndonëse nuk mund të përcaktojmë me saktësi, ne jemi pothuajse të sigurt se njëri nga pesë vitet e ardhshme do të jetë viti me temperaturat më të larta që nga koha kur ka filluar regjistrimi i tyre”, tha anëtari i kësaj organizate, Wilfran Moufouma-Okia.
Deklarata nga organi global konfirmoi një raport të publikuar muajin e kaluar nga Qendra e Parashikimit të Klimës në Administratën Oqeanike dhe Atmosferike të Shteteve të Bashkuara se fenomeni El Nino ishte rikthyer. Viti më i nxehtë i regjistruar në botë, 2016, përkoi me një El Nino të fortë, megjithëse ekspertët thonë se ndryshimi i klimës ka shkaktuar temperatura ekstreme edhe në vitet pa këtë fenomen. Por, sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, ky rekord së shpejti mund të thyhet.
Top Channel