Forcat izraelite tërhiqen nga kampi i refugjatëve në Xhenin të Bregut Perëndimor

05/07/2023 15:41

Forcat izraelite u tërhoqën nga qyteti palestinez Xhenin natën e së martës. Largimi i një autokolone me automjete sinjalizoi përfundimin e një prej operacioneve më të mëdha ushtarake izraelite në Bregun Perëndimor ndër vite.

Banorët e kampit të refugjatëve në Xhenin dolën sot nga strehimet e tyre për të vëzhguar dëmet. Shumë prej tyre u detyruan të braktisnin kampin e refugjatëve gjatë sulmeve me dron dhe shkëmbimeve me armë zjarri.

Ushtria izraelite tha se operacioni i saj i kishte dëmtuar rëndë grupet militante në kampin e refugjatëve në Xhenin, por mbetet e paqartë nëse do të ketë ndonjë efekt të gjatë, pas gati një vit e gjysmë luftimesh të ashpra në Bregun Perëndimor.

Izraeli goditi kampin, i njohur si bastion i militantëve palestinezë, të hënën herët në mëngjes, në një operacion, që sipas autoriteteve izraelite kishte për qëllim shkatërrimin dhe konfiskimin e armëve.

“Nuk e prisnim bastisjen, nuk na paralajmëruan. Qëndruam brenda ndërsa aeroplanët godisnin. Na ndërprenë rrymën elektrike dhe pastaj ujin”, thotë Itaf Mohammad Mansour, banore e kampit të refugjatëve.

Banorët që ktheheshin në shtëpi vunë re rrugët e mbushura me makina të djegura dhe mbeturinat e atyre që kishin mbetur nga luftimet. Trembëdhjetë palestinezë dhe një ushtar izraelit u vranë në luftimet dy-ditore. Organet palestineze të shëndetësisë thanë se rreth 100 individë ishin plagosur, 20 prej tyre në gjendje të rëndë. Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se kishte evakuuar rreth 3,000 njerëz nga kampi.

Përpara tërheqjes, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua të ndërmarrë operacione të ngjashme nëse ishte e nevojshme. Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant tha të mërkurën se ata që përpiqen të dëmtojnë izraelitët do të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre.

“Bëjmë thirrje për paqe dhe për të jetuar në partneritet. Por ata që përpiqen të dëmtojnë fëmijët dhe qytetarët e Izraelit do të përballen me forcën ushtarake izraelite. Ne do t’i mbajmë përgjegjës ata”.

Më herët të mërkurën, militantët hodhën raketa nga Rripi i Gazës drejt Izraelit jugor. Avionët izraelitë goditën një fabrikë nëntokësore të prodhimit të armatimeve, tha ushtria, por nuk dihet nëse do të ketë përshkallëzim të mëtejshëm.

Ndërhyrja në Xhenin ishte një nga operacionet më intensive ushtarake izraelite në Bregun Perëndimor që nga përfundimi dy dekada më parë i kryengritjes së armatosur palestineze kundër pushtimit të vazhdueshëm izraelit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA