Ministria e Bujqësisë, Frida Krifca ka deklaruar se Universiteti Bujqësor i Tiranës ka ofruar një mbështetje financiare mujore prej 40 mijë lekësh për të gjithë ata student që zgjedhin të diplomohen në disa nga degët e këtij universiteti.
Mbështetja financiare e dhënë për të tërhequr interesin e studentëve në degët e akuakulturës, peshkimit, mjekësisë veterinare apo edhe disa degëve të tjera, mesa duket bëhet për të penguar mbylljen e këtyre degëve, të cilat megjithëse janë tepër të kërkuara nga tregu, kohët e fundit po përballen me gjithnjë e më pak student, pasi këta të fundit priren më tepër drejt Teknologjisë së Informacionit, Mjekësisë, Farmacisë, Informatikës Elektronike, Arkitekturës ose studimeve profesionale 1-vjeçare.
“Universiteti Bujqësor i Tiranës për disa nga sektorët prioritar siç është akuakultura, peshkimi, mjekësia veterinare dhe sektorë të tjerë kanë ofruar një mbështetje financiare mujore prej 40 mijë lekësh për të gjithë ata student që zgjedhin të diplomohen në këtë universitet”- tha Krifca.
Ndërkohë, sa iu përket vendimeve të qeverisë, Krifca tha se sot është miratuar një tjetër mbështetje prej 65 milion eurosh për sektorin e bujqësisë, që pritet të investohet në 3 sektor kryesor.
“Sot kemi miratuar një tjetër mbështetje për sektorin e bujqësisë, një shumë prej 65 milion eurosh. Është një marrëveshje e miratuar me Bankën Botërore, një instrument shumë i rëndësishëm financimi me të cilin kemi punuar shumë gjatë.
Me këto fonde, do të ndërhyjmë përmes financimit në 3 sektore kryesore.
Së pari, zgjerimin e skemave të ujitjes dhe të kullimit. Planifikohet të zgjerohen deri më 28 mijë hektarë skemat e ujitjes në zonën e Lushnjes dhe të Diviakës, duke implementuar teknologji mjaft inovative dhe çuar ujin me presion në parcelë përreth 500 hektarë në zonën e Divjakës posaçërisht dhe zonën e Konispolit, zona këto intensive bujqësore dhe shumë të rëndësishme për prodhimin bujqësor.
Ndërkohë do të kryehet një implementim shumë i rëndësishëm i rinovimit të teknologjive të pompave që janë në hidrovoret e Semait dhe të Darëzezës, që praktikisht përmirësojnë sistemin e kullimit në të gjithë fushën e Hoxharës, ku përfitojnë një mori fermerësh në një sipërfaqe toke prej 10 mijë hektarësh. Do të rinovojmë burimet e energjisë në të 27 hidrovorët që ne kemi, ku aktualisht sasi të madhe të energjisë elektrike. Do t’i pajisim të gjithë këta hidrovorë me panele diellore, duke përgjysmuar kostot e Ministrisë së Bujqësisë sa iu përket faturave të energjisë elektrike, për modernizuar infrastrukturën dhe siguruar energji të pandërprerë.
Së dyti, siguria ushqimore. Pikat kufitare ku AKU operon, sa i takon kryerjes dhe mostrimit të analizave laboratorike, planifikohet rinovimi i infrastrukturës për 6 pikat kuftare të Shqipërisë: Bllata, Kakavija, Kapshtica, Qafë Botën dhe Qafë Thanën, të cilat kanë një fluks hyrjeje qoftë të produkteve ushqimore të importit, por edhe të eksportit. Të gjitha këto ndërhyrje të kësaj infrastrukture do të kryen në funksion të përmbushjes së të gjitha kritereve të Bashkimit Evropian.
Dhe së treti, zgjerimin e hapsirave të fermerëve në tregje përmes 5 platformave që ne I quajmë mikorhaps. Objektivi I tyre është shkurtimi i zinxhirëve ushqimor nga prodhimi tek kërkesa e qytetarëve me qëllim që i gjithë fitimi të mbetet tek fermerët”- tha Krifca.
Top Channel