Rritja e temperaturave dhe rikthimi i fenomenit El Nino

04/07/2023 16:10

Temperaturat pritet të rriten më tej në pjesë të mëdha të botës pasi fenomeni El Nino u shfaq në pjesët tropikale të Paqësorit për herë të parë në shtatë vjet, tha sot Organizata Botërore Meteorologjike.

Një valë e madhe të nxehti ka përfshirë edhe pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara.

El Nino, një fenomen i ngrohjes së temperaturave të sipërfaqes së ujit në Oqeanin Paqësor lindor dhe qendror, është i lidhur me kushtet ekstreme të motit nga ciklonet tropikale, reshjet e dendura deri tek thatësirat ekstreme.

“Bazuar në modelet tona të parashikimit të motit, mes viteve 2023 dhe 2027 do të kemi një vit me temperatura rekorde në tokë, që do të tejkalojnë temperaturat normale me 1.5 celsius. Kjo do të shkaktohet nga efekti El Nino dhe ngrohja antropogjene. Ndonëse nuk mund të përcaktojmë me saktësi, ne jemi pothuajse të sigurt se njëri nga pesë vitet e ardhshme do të jetë viti me temperaturat më të larta që nga koha kur ka filluar regjistrimi i tyre”, thotë Wilfran Moufouma-Okia nga Organizata Botërore Metereologjike.

Deklarata nga organi global konfirmoi një raport të publikuar muajin e kaluar nga Qendra e Parashikimit të Klimës në Administratën Oqeanike dhe Atmosferike të Shteteve të Bashkuara se fenomeni El Nino ishte rikthyer.

Viti më i nxehtë i regjistruar në botë, 2016, përkoi me një El Nino të fortë, megjithëse ekspertët thonë se ndryshimi i klimës ka shkaktuar temperatura ekstreme edhe në vitet pa këtë fenomen. Por, sipas Organizatës Botërore Metereologjike, ky rekord së shpejti mund të thyhet.

Ndërkohë edhe pjesët perëndimore dhe jugore të Shteteve të Bashkuara po përjetojnë një valë të forte të të nxehtit. Temperaturat në Feniks të Arizonës arritën në 46.7 gradë celsius të hënën, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit.

“Ndjeva një vapë të madhe, kështu që erdha në këtë park për t’u freskuar nën rrjedhën e ujit të ftohtë”, thotë Carlos Robles, banor i Arizonës.

“Është një vapë që të shkakton lodhje. Çdo veprim që bëjmë në këtë të nxehtë të madh, si nxjerrja e gjërave të nevojshme nga makina dhe sjellja e 12 fëmijëve në këtë park, shkakton një lodhje”, thotë Ka-desha Kinga, banore e Arizonës.

Shërbimi Kombëtar i Motit ka lëshuar paralajmërime për temperatura tepër të larta për miliona amerikanë në Arizonën jugore, Teksas dhe shtete të tjera në jug. Kjo valë e të nxehtit pritet të zgjasë deri të premten.

Një valë të nxehti ka përfshirë edhe Britaninë, e cila tha se vendi përjetoi qershorin më të nxehtë që nga fillimi i regjistrimit të temperaturave në vitin 1884.

Temperatura mesatare për muajin qershor në Britani arriti në 15.8 gradë Celsius. Kjo është pothuajse një shkallë më lartë se rekordi i mëparshëm prej 14.9 celsius i vendosur në 1940 dhe i përsëritur në 1976, sipas shifrave të publikuara nga Zyra Metereologjike e qeverisë britanike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA