Në 247 vite shtetësi, SHBA-ja arriti të kthehet në vendin më të fuqishëm të botës.
Sot në 4 korrik, Shtetet e Bashkuara festojnë shpalljen e pavarësisë nga Mbretëria e Bashkuar.
Festa e 4 korrikut ka në bazë të saj ushqimet dhe kulturën amerikane: paradat, gatimet në ambjent të hapur shoqëruar me birrë të ftohtë, e mbi të gjitha, fishekzjarret. Por përdorimi i tyre e ka bërë të rrezikshme këtë ditë pushimi, zakonisht më shumë se 10 mijë persona paraqiten në urgjencë për të marrë trajtim mjekësor.
Megjithatë, fishekzjarret vazhdojnë të mbeten në thelb të Ditës së Pavarësisë, një ditë që festohet prej dy shekujsh e gjysmë. Dita e Pavarësisë përkujton 4 korrikun e vitit 1776, kur Kongresi Kontinental miratoi bashkarisht Deklaratën e Pavarësisë, një dokument përmes së cilit kolonitë amerikane njoftuan shkëputjen nga Britania e Madhe.
Një vit më vonë, sipas Bibliotekës së Kongresit, në Filadelfia pati festime spontane për të shënuar përvjetorinë e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Por në kombin në zhvillim, festimet nuk u bënë të zakonta deri pas luftës së vitit 1812. Shpërthimi i fishekzjarreve ka qenë pjesë e festimeve të Ditës së Pavarësisë që në krye të herës.
John Adams, një prej etërve që themeluan Amerikën, e kishte të qartë se çfarë domethënie do të kishte kjo festë. Përkujtimi i pavarësisë së Amerikës “duhet të kremtohet plot madhështi, me parada, shfaqje, lojëra, sporte, kambana, zjarre, dhe ndriçime nga njëri skaj i kontinentit tek tjetri, tani dhe përgjithmonë”, shkruante ai.
Shitjet e fishekzjarreve janë rritur me shpejtësi gjatë dy dekadave të fundit.Statistikat e Shoqatës Amerikane të Piroteknikës tregojnë se në vitin 2000, konsumatorët amerikanë shpenzuan 407 milionë dollarë për fishekzjarre.
Top Channel