Të paktën tre persona u vranë në Bregun Perëndimor nga sulmet e Izraelit me dronë në një kamp refugjatësh, duke shkaktuar një valë të re dhune të hënën.

Ministri i jashtëm izraelit Eli Cohen tha sot se sulmet në Xhenin kishin në shënjestër grupet terroriste, ndërsa Kryeministri palestinez Mohammad Shtayyeh akuzoi Izraelin për kryerje të një krimi tjetër ndaj palestinezëve.

Banorët e qytetit të Xheninit thanë se një betejë me armë zjarri që filloi të dielën në mbrëmje zgjati deri në mëngjesin e ditës së sotme.

Brigada e Xheninit, një njësi e përbërë nga grupe të ndryshme militantësh me bazë në kampin më të madh të refugjatëve në qytet, ishte angazhuar në luftime kundër forcave izraelite.

Ushtria e Izraelit tha se kishte goditur qendrën e komandës së grupit Brigada e Xheninit në kampin e refugjatëve, në kuadër të një operacioni kundër terrorizmit.

“Ne po godasim me forcë të madhe qendrat e terrorizmit. Dua ta theksoj, se ne nuk po luftojmë me palestinezët. Aktualisht, ne po luftojmë me aleatët e Iranit në rajonin tonë, kryesisht Hamasin dhe Xhihadin Islamik, dy organizata terroriste, që luftojnë kundër Izraelit me ndihmën e Iranit. Synimi i Iranit është rritja e tensioneve në rajon”, tha sot ministri i jashtëm izraelit Eli Cohen.

Ushtria izraelite publikoi fotografi të marra nga ajri të, siç tha, zonës që ishte në shënjestër të sulmit, afër dy shkollave dhe një qendre mjekësore në Xhenin, ku në një sipërfaqe prej më pak se 0,4 kilometrash katrorë jetojnë mbi 14 mijë njerëz.

Sulmi i së djelës, nga i cili mbetën të vdekur tre persona, ishte i pari në Bregun Perëndimor në 15 vitet e fundit.

Të paktën gjashtë dronë u panë duke fluturuar rreth qytetit të Xheninit. Kjo është hera e dytë, në më pak se dy javë, që Izraeli kryen sulme me dron në Bregun Perëndimor.

“Izraeli sot në mëngjes ka kryer një krim të ri në kampin e refugjatëve në Xhenin. Deri më tani kemi pesë të vrarë, njëri prej të cilëve në Ramallah. Dhjetëra njerëz të tjerë janë plagosur dhe forcat izraelite kanë shkatërruar infrastrukturën dhe pronat e banorëve të pafajshëm”, tha Kryeministri palestinez Mohammad Shtayyeh.

Në vitin e fundit, dhuna në rajon është përshkallëzuar, duke alarmuar komunitetin ndërkombëtar.

Përveç sulmeve në Xhenin, ka patur një numër sulmesh vdekjeprurëse të palestinezëve ndaj izraelitëve, si dhe sulme me armë të kolonëve hebrenj ndaj fshatrave palestineze.

Izraeli në vitin 1967 e pushtoi Bregun Perëndimor, të cilin palestinezët e shohin si pjesë të rëndësishme të shtetit të tyre të ardhshëm, së bashku me Jeruzalemin Lindor dhe Rripin e Gazës.

Bisedimet për zgjidhjen e konfliktit dhjetëra vjeçar izraelito-palestinez u ndërprenë në vitin 2014./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA