Presidenti i 42-të i SHBA-ve, Bill Klinton mbërrin sot në Tiranë! Zbardhet agjenda: Pritet me ceremoni shtetërore nga Rama

03/07/2023 08:24

Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, viziton sot për herë të parë tokën shqiptare, ku do të qëndrojë deri në 4 korrik, ditë që përkon me pavarësinë e SHBA.

Clinton dhe delegacioni që e shoqëron do të mbërrijë pasditen e sotme në Tiranë, ndërsa në orën 19.00 do të pritet me një ceremoni të posaçme zyrtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryeministri Edi Rama. Gjatë ceremonisë shtetërore, Clinton do të dekorohet me dekoratën e lartë “Ylli i Mirënjohjes për Arritjet Publike”.

Do të jetë Rama, i cili pas një fjalimi të shkurtër, do të ftojë zotin Bill Klinton të marrë çmimin e akorduar.

Ceremonia e nderit do të pasohet edhe nga fjalimi i Presidentit Clinton në orën 19:25.

Vizita e papritur e Clinton u paralajmërua nga kreu i qeverisë Edi Rama, i cili me nota misteri tha se kishte një dhuratë të madhe me datë 4 korrik për shqiptarët. Ish-presidenti amerikan njihet edhe si president nderi për shqiptarët për shkak të ndikimit pozitiv që ka patur për Shqipërinë e Kosovën. Presidenca e Clinton ndikoi në miratimin dhe realizimin e vendimeve të OKB-së për ndërhyrjen e NATO-së në Luftën e Kosovës në vitin 1999, çka detyroi presidentin e atëhershëm të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, të pranonte kushtet e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund fushatës së tij ushtarake kundër UÇK-së.

Për këtë arsye vizita e tij është përshëndetur nga e gjithë politika shqiptare. Ish-kryeministri Sali Berisha tha se ai vjen si një hero kombëtar për kontributin që ka dhënë për kombin tonë.

Top Channel