Organizata e Bashkëpunimit Islamik dënonte sot në një deklaratë një operacion ushtarak të ushtrisë së Izraelit në qytetin e Xhenin, në zonat e pushtuara të Bregut Perëndimor, ku janë vrarë të paktën 9 njerëz dhe ushtria ka sulmuar zonën e banuar me dronë, avionë dhe autoblinda.
Të paktën 50 palestinezë gjithashtu janë plagosur në sulmet izrealite, tha ministria vendase e shëndetësisë.
Organizata ndërkombëtare islamike tha në deklaratën e saj:
“Ky krim dashakeq është një zgjerim i krimeve dhe i terrorit të organizuar shtetëror që pushtuesit izraelitë kryejnë ndaj popullit palestinez”.
Organizata me bazë në Jeddah të Arabisë Saudite, tha se shteti izraelit është përgjegjës për “pasojat e këtij krimi të rëndë” dhe bëri thirrje për hetime e dhënie llogarie.
Grupi thirri një sesion të Këshillit të Sigurimit të OKB, për të “marrë përgjegjësinë dhe ngritjen e rezolutave, për t’i dhenë fund terrorit shtetëror të Izraelit dhe dhënien e mbrojtjes për popullin palestinez”.
Sipas burimeve izraelite, më shumë se 1,000 trupa ushtarake u përfshinë në operacionin në Xhenin.
Zëdhënësi i ushtrisë Daniel Hagari tha se operacioni fokusohej në kampin e refugjatëve dhe se ishte “pjesë e një serie veprimesh që ne do të vijojmë të kryejmë”.
Muajt e fundit ushtria izraelite ka kryer rregullisht bastisje në qytetet e Bregut Perëndimor që kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 190 palestinezëve./Anadolu Agency/
Top Channel