Nën akuzë për korrupsion, SPAK çon për gjykim 5 zyrtarë e ish-zyrtarë të Bashkisë Dimal! Në listë edhe menaxheri i një subjekti privat

03/07/2023 10:51

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka proceduar penalisht 5 zyrtarë të Bashkisë Dimal dhe menaxherin e një subjekti privat, pasi akuzohen për veprat penale, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”,  “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Ushtrim ndikimi i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, si dhe “Shpërdorim detyre”.

Pas analizimit të provave të grumbulluara në kuadër të këtij procedimi penal dhe përfundimit të hetimeve, SPAK i është drejtuar GJKKO me kërkesë për dërgimin e çështjes për gjykim në ngarkim të të pandehurve: Arben Guraj, Altin Pali, Valentina Jançe, Agim Çunaj, Arjan Demiri, si dhe Vait Koshi.

Arben Guraj, i cili ushtronte funksionin e përgjegjësit të shërbimeve pranë Bashkisë Dimal, akuzohet për veprat penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Mes personave të hetuar nga SKAP ka qenë edhe drejtori i Zyrës së Urbanistikës, të Bashkisë Dimal, Altin Pali, pasi akuzohet për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Si dhe Agim Çunaj me detyrë përgjegjës i IKMT pranë Bashkisë Dimal, pasi akuzohet për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”.

SPAK ka kërkuar gjykim në përfundim të hetimeve edhe për Valentina Jançe, pasi në kohën e kryerjes së veprës penale mbante detyrën e shefes së urbanistikës pranë Bashkisë Dimal. Jançe akuzohet për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në listën e personave të çuar nga SPAK për gjykim në GJKKO është edhe inxhinieri Arjan Demiri, pasi akuzohet për veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Si dhe menaxheri i një subjekti privat, Vait Koshi, pasi akuzohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA