Largimet nga Kisha Katolike në Gjermani kanë arritur një nivel rekord. Në vitin 2021, ia kthyen shpinën Kishës rreth 359.000 vetë, që ishte një rekord për atë kohë. Rreth 21 milionë vetë janë në Gjermani ende pjesëtarë të Kishës Katolike.
Abuzimet mbajnë një pjesë të përgjegjësisë për braktisjet e shumta
Veçanërisht pas prezantimit të një ekspertize për abuzimet në Kryedioqezën e Mynihut dhe Freisingut dhe diskutimit për bashkëfajësinë e Papa Benediktit XVI, i cili ndërroi jetë, numri i largimeve është rritur ndjeshëm.
Presidenti i Konferencës së Ipeshkve Gjermanë, ipeshkvi Georg Bätzing, e quajti alarmant numrin e largimeve. Megjithatë ai bëri thirrje që njerëzit të mos dekurajohen. Për të është e rëndësishme të zbatohen vendimet e marra në kuadër të rrugës sinodalale për reformën e kishës, tha Bätzing.
Presidentja e Komitetit Qendror të katolikëve gjermanë, Irme Stetter-Karp, tha se ishte e pikëlluar, por edhe jo e befasuar. Besimi te kisha ka humbur, veçanërisht për shkak të skandalit të abuzimeve, tha ajo. Megjithatë, kisha nuk tregon vendosmëri të mjaftueshme për të zbatuar vizionet për të ardhmen e jetës së krishterë në kishë, kritikoi më tej Stetter-Karp.
‘Taksa e kishës’ në Gjermani
Pjesëtarët e regjistruar të kishës në Gjermani paguajnë një “taksë kishe” – midis 8% dhe 9% të të ardhurave të një individi – që shkon drejtpërdrejt në kishën e tyre, qoftë ajo katolike apo protestante, mbi milionat e paguara nga shteti me paratë e taksapaguesve.
Humbja e pjesëtarëve që paguajnë do të thotë gjithashtu një humbje fondesh për kishën, fonde që përdoren për të mbajtur komunitetet edhe në rajonet më rurale të vendit.
“Kisha Katolike po vdes me një vdekje të dhimbshme para syve të publikut”, tha për agjencinë gjermane të lajmeve DPA, Thomas Schüller, një ekspert në të drejtën kanonike katolike në Universitetin e Munsterit dhe vëzhgues i ngushtë i Kishës Katolike Gjermane.
Edhe protestantët largohen më shpesh nga kisha
Kisha Protestante gjithashtu humbi më shumë pjesëtarë në 2022 sesa një vit më parë. Sipas të dhënave të EKD, numri i tyre ra me 2.9 për qind në 19.15 milionë persona. Në vitin 2021, rënia ishte 2.6 për qind. Janë mbi të gjitha largimet nga kisha që janë rritur dukshëm. Vitin e kaluar ato arritën në 380.000./DW
Top Channel