Fasonët e pësojnë nga euro/ Zhvlerësimi ndaj lekut i shkakton çdo muaj 4 mln euro humbje

02/07/2023 19:33

Rënia e euros në raport me lekun ka dhënë efektet e saj në ekonominë shqiptare. Më të prekurat janë bizneset eksportuese dhe veçanërisht sektori fason ku pasojat ekonomiko-sociale janë më të dukshme.

Ky sektor deklaron se po humbet çdo muaj, në shkallë vendi, rreth 4 milion euro dhe rrezikon të humbasë pozitat e mira që ka fituar në tregun e huaj.

“Sektorët eksportues janë ata që po vuajnë këtë mbiçmim të lekut, që sjell humbje të likuiditetit për biznesin, humbje të konkurrueshmërisë, pasi duhet të reagosh, po duke rritur çmimet del jashtë konkurrencës si me vendet ballkanike ashtu dhe me ato aziatike dhe afrikane, që po na nxjerrin jashtë tregut e optikës së brendeve (brands) të huaja. Po të flasim vetëm për tregun e manifakturës së veshjeve dhe këpucës, që vetëm në qarkun e Durrësit ka mbi 150 biznese dhe 22 mijë të punësuar. Në nivel lokal, por në shkallë vendi situata është dhe më problematike. Janë mbi 200 mijë të punësuar në bizneset eksportuese që dita-ditës po rrezikojnë vendet e punës. Shumë biznese në sektorin e këpucëve kanë nisur të mbyllin linjat prodhuese, të reduktojnë punonjësit e tyre. E shikojmë të vështirë nëse nuk do të ketë ndërhyrje nga ana e qeverisë dhe BSH.”- tha Edvin Prençe, Sipërmarrës & Kryetar i Proexport Albania.

“Është ironik fakti që ka punë, por nuk ia dalim dot të mbyllim të gjitha pagesat tona në fund të muajit, pasi humbim një shifër prej 10-20 mijë euro në muaj vetëm nga konvertimi.”– tha Erald Hasanaj, sipërmarrës.

E ndërsa përballen edhe me nevojën për fuqi punëtore dhe kërkesën për rritje pagash, bizneset kërkojnë mbështetje përmes lehtësirave fiskale dhe ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë për stabilizimin e kursit të euros për të shmangur  efektet e mëtejshme negative në ekonomi.

“Një nga metodat alternative është automatizimi i proceseve. Kjo do të thotë të investosh shifra të konsiderueshme në makineri që punojnë në mënyrë automatike. Kjo ka avantazhe për biznesin, po jo në aspektin social të punonjësit, sepse në këtë luftë që kemi ne për të siguruar fuqi punëtore dhe njerëz të specializuar futja e këtyre makinerive kërkon njerëz që nuk kanë nevojë për kualifikim të posaçëm për qepjen e veshjeve. Ne po marrim masat po pa prekur aspektin social sepse nuk duam të largojmë njerëz nga puna, pasi bizneset tona janë të vogla dhe janë krijuar si familje dhe duam të vazhdojmë deri kur të jetë e pamundur.”- tha Erald Hasanaj

“Kjo situatë nuk është produkt i keqmenaxhimit të biznesit. Kjo është një luftë, një pandemi që po godet sektorin tonë… Humbet edhe shteti. Ndaj ndërhyrja e qeverisë patjetër duhet për të mbështetur sektorët eksportues për të qenë sa më konkurrues në tregjet e huaja.”- tha Edvin Prençe.

Nevoja për ndërhyrje konsiderohet emergjente nga bizneset, pasi humbjet për shkak të mbiçmimit të lekut do të tronditnin më tej sektorët eksportues dhe tregun e paqëndrueshëm të punës në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA