Nuk ndalen protestat, 1.000 arrestime brenda natës në Francë: Mbappe thirrje për fundin e dhunës

01/07/2023 12:46

Nuk kanë të ndalur trazirat në Francë, ku njerëzit kanë vazhduar të dalin nëpër rrugë e ku pavarësisht pranisë së shtuar policore, nuk kanë munguar aktet e dhunës dhe vadalizmit.

Makina të djegura e dyqane të grabitura ishin panorama që shoqëroi përgatitjet e familjarëve dhe miqve për varrimin e 17-vjeçarit, vrasja e të cilit ka shkaktuar indinjatë mbarëkombëtare. Qeveria franceze la të kuptohej se protestat kishin nisur të fashiteshin falë masave më të ashpra të sigurisë, por dëme janë raportuar kudo në Francë dhe në territore franceze si në Guajanën Franceze, ku një 54-vjeçar vdiq pasi u godit nga një plumb qorr. Orët e para të mëngjesit të sotëm, ministria e brendshme franceze njoftoi se gjatë natës ishin kryer 994 arrestime.

Ekipi kombëtar i futbollit i Francës – përfshirë yllin ndërkombëtar Kylian Mbappe, një idhull për shumë të rinj në lagjet ku zemërimi është më i madh – kërkoi t’i jepet fund dhunës. “Shumë prej nesh vijmë nga lagjet e klasës punëtore, edhe ne ndajmë këtë ndjenjë dhimbjeje dhe trishtimi”, thanë futbollistët në një deklaratë për vrasjen e 17-vjeçarit Nahel.  “Dhuna nuk zgjidh asgjë. … Ka mënyra të tjera paqësore dhe konstruktive për ta shprehur veten.”

Vrasja fatale e Nahelit nga policë, mbiemri i të cilit nuk është bërë publik, nxiti tensione midis policisë dhe të rinjve që luftojnë me varfërinë, papunësinë dhe diskriminimin racor. Këto trazira janë më të mëdhatë që ka parë Franca në vite dhe e vënë presidentin Emmanuel Macron në presion. Macron u bëri thirrje prindërve që t’i mbajnë fëmijët larg rrugëve dhe i fajësoi rrjetet sociale për nxitjen e dhunës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA