Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka shtyrë një vizitë shtetërore në Gjermani që ishte planifikuar të niste më 2 korrik, pas katër ditëve të trazirave në Francë.
Lajmin e ka konfirmuar presidenca e Gjermanisë.
“Presidenti francez Macron foli sot me telefon me presidentin gjerman [Frank-Walter] Steinmeier dhe e informoi atë për situatën në vendin e tij”, tha presidenca gjermane më 1 qershor.
“Presidenti Macron kërkoi shtyrjen e vizitës së tij të planifikuar shtetërore në Gjermani”, shtoi ai.
Ministria e Brendshme e Francës tha se 1,311 persona ishin arrestuar gjatë natës, krahasuar me 875 arrestime një natë më parë, megjithëse dhuna ishte, sipas tyre, “në intensitet më të ulët”.
Nahel, një 17-vjeçar me origjinë algjeriane dhe marokene, u qëllua nga një oficer policie gjatë një ndalese trafiku më 27 qershor në periferi të Parisit, në Nanterre. Vrasja e tij ka nxitur protesta masive në mbarë Francën.
Në një deklaratë, Elysee tha se Macron kishte shprehur dëshirën e tij për të qëndruar në Francë gjatë ditëve në vijim, duke pasur parasysh situatën në vend.
Një burim i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP se nuk është rënë dakord për asnjë datë të re për vizitën e shtyrë.
Steinmeierit “i vjen keq për anulimin dhe ka mirëkuptim të plotë duke pasur parasysh situatën në vendin tonë fqinj”, thuhet në deklaratën e publikuar nga zyra e tij.
Ai shpreson se “dhuna në rrugë do të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe se paqja sociale mund të rivendoset”.
Vizita shtetërore shihej si një mundësi për të rigjallëruar marrëdhëniet mes dy gjigantëve të BE-së. Udhëtimi tre-ditor do të kishte shënuar vizitën e parë shtetërore të një presidenti francez në Gjermani që nga viti 2000, kur Zhak Shirak udhëtoi për në Berlin.
Një burim francez vuri në dukje megjithatë se të dyja palët kanë “shumë mundësi” për t’u takuar dhe se kjo vizitë ishte më shumë një takim për të festuar miqësinë franko-gjermane, sesa një takim rreptësisht politik.
Si e tillë, koha për këtë vizitë nuk ishte “e përshtatshme”./ REL
Top Channel