Shqipëria “boom” turistik, Euronews: Plazhe që të lënë pa frymë!

30/06/2023 09:43

Tashmë Shqipëria turistike e ka vëmendjen e plotë të botes perëndimore.

Artikulli më i fundit në mediat e huaja që lartëson bukuritë dhe mikpritjen e vendit tonë, vjen nga Euronews që kujton sesi numri i turistëve po rritet gradualisht nga viti ne vit dhe në 2023-shin, shpreson të kapërcejë pragun e dhjetë milionë vizitorëve.

Nëse Shqipëria ka qenë kaq e suksesshme vitet e fundit, kjo e ka një arsye shumë të fortë: 450 kilometra të vijës së saj bregdetare ofrojnë plazhe që të lënë pa frymë, thotë media prestigjioze.

Që nga fillimi i pranverës, vazhdon Euronews, suksesi ka qenë i dukshëm dhe agjencitë turistike janë përballur me kërkesa në rritje nga ana e vizitorëve kureshtarë.  Numri i tyre rritet me rreth 20-30% çdo vit dhe gjatë 2023 mund të dyfishohet në krahasim me vitin e shkuar.

Dhe cili është çelësi i këtij suksesi? Përgjigja është e thjeshtë, sic tregohet në reportazhin e kushtuar kësaj teme: peizazhi i bukur, natyra mikpritëse e shqiptarëve dhe mbi të gjitha çmimet e përballueshme! Sipas operatorëve turistikë, kostoja mesatare e një nate në një hotel me ushqim të plotë varion nga 30 deri në 300 euro.

Turistët e vlerësojnë lart mundësinë e një qëndrimi të përballueshëm në Mesdhe, ndërsa shijojnë plazhe relativisht të qeta. Vetëm pak muaj më parë, The Sun e përshkruante vendin tonë si “Maldivet e Europës” dhe përmendte Ksamilin si një nga zonat më të bukura, që duhen vizituar patjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA