Kontrolle për sigurinë shëndetësore, vendosen masa në bregdet për ata që s’i respektojnë

30/06/2023 12:21

“Task-Forca ndërinstitucionale për sigurinë shëndetësore ka nisur punën me gatishmëri të shtuar në zonat turistike, me zero tolerancë për subjektet, të cilat nuk respektojnë kushtet higjieno-sanitare”.

Kështu deklaroi ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastriliu gjatë një inspektimi të bërë në zonën e Lungomares në Vlorë.

“Janë më shumë se 950 subjekte të inspektuara, vetëm për qershorin janë 350 subjekte dhe jo vetëm në bregdet, sepse kjo është një punë rutinë, por nga ana tjetër edhe sa i përket masave që po marrim për sezonin turistik, kjo është një situatë gatishmërie. Për ne është shumë e rëndësishme që inspektorët e ISHSH, gjithashtu edhe me inspektorët e tjerë të AKU apo Agjencisë së Mjedisit, të mundet të bashkërendojmë forcat në mënyrë që inspektimi të kryhet për të rekomanduar masa për përmirësim, por edhe masa administrative, të cilat gjatë kësaj periudhe janë rreth 20 masa, sepse duhet të jemi të vendosur për të mos patur asnjë tolerancë, sa i përket shkeljeve që kanë të bëjnë me masat higjieno-sanitare”, u shpreh Manastirliu.

E pranishme në inspektim ishte dhe ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro e cila kërkoi bashkëpunimin e bizneseve me qëllim mbarëvajtjen e një sezoni të mirë turistik.

“Gjëja e mirë e Task-Forcës është që janë të koordinuar mes tyre, sepse nga ana tjetër, nuk duam të bezdisim bizneset dhe të jemi më prezent se sa duhet, por po kërkojmë bashkëpunimin e tyre”, u shpreh Kumbaro.

Të gjitha strukturat inspektuese, si Task-Forca ndërinstitucionale por dhe ato të tjera do jenë në gatishmëri gjatë gjithë këtyre muajve të sezonit turistik.

Top Channel