Gjykata e Lartë vendos në favor të artistes që refuzoi shërbimin për çiftin e së njëjtës gjini

30/06/2023 22:59

Shumica konservatore në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara vendosi të premten se një artiste e krishterë, e cila merret me ndërtimin artistik të faqeve të internetit, mundet të refuzojë të punojë me çiftet e të njëjtës gjini. Vendimi është një humbje për aktivistët e të drejtave të homoseksualëve.

Një prej anëtarëve liberalë të gjykatës shkruajti në oponencë se efekti i vendimit është se “i klasifikon homoseksualët dhe lesbiket si me një status të dorës së dytë” dhe se i hap rrugën diskriminimeve të tjera.

Gjykata vendosi 6 me 3 në favor të projektueses së grafikave Lorie Smith, pavarësisht faktit se shteti i Kolorados ka në fuqi një ligj që ndalon diskriminimin në bazë të orientimit seksual, gjinisë dhe karakteristikave të tjera. Zonja Smith argumentoi se ky ligj shkel të drejtat e saj për lirinë e shprehjes.

Kundërshtarët paralajmëruan se fitorja për të do të lejonte një varg biznesesh të tjera që të diskriminojnë, duke refuzuar t’iu shërbejnë afrikano-amerikanëve, klientëve hebrej dhe myslimanë, apo çifteve të krijuara nga persona të racave apo besimeve të ndryshme, si dhe ndaj emigrantëve. Por zonja Smith dhe mbështetësit e saj thanë se një vendim kundër saj, do t’i shtrëngonte artistët – duke filluar që nga piktorët dhe deri tek fotografët, shkrimtarët dhe muzikantët – që të bënin punë që do të ishte kundër parimeve të tyre.

Gjykatësi Neil Gorsuch shkruajti në emër të gjashtë gjykatësve konservatorë se Amendamenti i Parë “i koncepton Shtetet e Bashkuara si një vend i pasur dhe kompleks, ku të gjithë personat janë të lirë të mendojnë dhe të flasin ashtu siç dëshirojnë, dhe jo se si ua kërkon qeveria”. Gjykatësi Gorsuch tha se gjykata ka mbajtur prej kohësh qëndrimin se “mundësia për të menduar vetë dhe për të shprehur lirshëm këto mendime është ndër liritë tona më të shtrenjta dhe pjesë e asaj çfarë e mban të fortë Republikën tonë”.

Në oponencë, Gjykatësja Sonia Sotomayor shkruan se: “Sot, Gjykata, për herë të parë në histori, i dha një sipërmarrjeje që është e hapur për publikun, të drejtën për të refuzuar që t’u shërbejë anëtarëve të një klase të mbrojtur”. Oponencës së saj iu bashkuan edhe dy gjykatëset e tjera liberale, Elena Kagan dhe Ketanji Brown Jackson.

Gjykatësja Sotomayor tha se logjika e vendimit “nuk mund të kufizohet tek diskriminimi mbi bazën e orientimit seksual apo identitetit gjinor”. Një projektuese e faqeve të internetit mund të refuzonte të krijonte një faqe në internet për një çift ndër-racor, një dyqan kartolinash mund të refuzojë të prodhojë një shpallje lindjeje nga një çift me nevoja të posaçme, dhe një dyqan portretesh mund të refuzojë t’u shërbejë familjeve që nuk janë “tradicionale”, tha ajo.

Vendimi përbën një fitore për aktivistët e të drejtave fetare dhe u shtohet një seri çështjesh të viteve të fundit kur gjykatësit kanë vendosur në favor të paditësve fetarë. Vitin e kaluar, gjykata vendosi sipas linjave ideologjike për rastin e një trajneri futbolli amerikan, i cili lutej në fushë pas lojërave që zhvilloheshin në shkollën e tij të mesme publike.

Vendimi është gjithashtu një zmbrapsje për të drejtat e homoseksualëve në gjykatë. Për gati tre dekada, gjykata ka zgjeruar të drejtat e anëtarëve të komunitetit LGBTQ. Më e rëndësishmja ishte dhënia e së drejtës për martesë çifteve të së njëjtës gjini në vitin 2015 dhe njoftimi pesë vite më vonë në një vendim të shkruar nga Gjykatësi Gorsuch se një ligj i rëndësishëm i të drejtave civile mbron gjithashtu edhe personat homoseksualë, lesbiket dhe transgjinorët, nga diskriminimi në punësim.

Edhe pse ka zgjeruar të drejtat e homoseksualëve, gjykata ka qenë e kujdesshme të thotë se duhet të respektohen personat me pikëpamje të ndryshme fetare. Besimi se martesa mund të jetë vetëm mes një burri dhe një gruaje është një ide që “është mbajtur prej kohësh – dhe vazhdon të mbahet – në mirëbesim nga njerëz të arsyeshëm dhe të sinqertë këtu dhe në mbarë botën”, shkruajti Gjykatësi Anthony Kennedy në vendimin e gjykatës për martesat e homoseksualëve.

Gjykata iu rikthye kësaj ideje pesë vjet më parë kur u përball me rastin e një bukëpjekësi të krishterë, i cili refuzoi të bënte tortën për një martesë mes dy personave të të njëjtit seks. Gjykata dha një vendim të kufizuar në favor të bukëpjekësit, Jack Phillips, duke thënë se kishte pasur armiqësi të palejueshme ndaj pikëpamjeve të tij fetare në shqyrtimin e çështjes së tij. Avokatja e zotit Phillips, Kristen Waggoner, e Aleancës në Mbrojtje të Lirisë, solli edhe çështjen më të fundit në gjykatë. Të premten, ajo tha se Gjykata e Lartë kishte të drejtë që rikonfirmoi se qeveria nuk mund t’i detyrojë njerëzit të thonë gjëra që nuk i besojnë.

“Të mos jesh dakort nuk është diskriminim dhe qeveria nuk mund ta keq-etiketojë shprehjen (e lirë) si diskriminim për ta censuruar atë”, tha ajo në një deklaratë.

Zonja Smith, e cila zotëron një sipërmarrje projektimi në Kolorado të quajtur “303 Creative”, aktualisht nuk krijon faqe interneti për dasma. Ajo ka thënë se do të dëshironte ta bënte këtë, por se besimi i saj i krishterë nuk do t’ia lejonte të krijojë faqe interneti për martesat e të njëjtit seks. Dhe në këtë pikë ajo bie në konflikt me ligjin e shtetit Kolorado.

Kolorado, si shumica e shteteve të tjera, ka një ligj që ndalon bizneset e hapura për publikun t’i diskriminojnë klientët. Shteti Kolorado tha se sipas të ashtuquajturit ligj të akomodimit publik, nëse zonja Smith ofron faqe interneti për dasma për publikun, ajo duhet t’i ofrojë ato për të gjithë klientët, pavarësisht nga orientimi seksual. Ndër të tjera, bizneset që shkelin ligjin mund të gjobiten. Zonja Smith argumentoi se zbatimi i ligjit ndaj saj shkel të drejtat e saj të Amendamentit të Parë. Shteti i Kolorados nuk u ra dakort./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA