Futbollisti i Manchester City thotë në gjyqin e përdhunimit se ka fjetur me “mijëra femra” (fotot)

29/06/2023 17:56

Futbollisti i kampionëve të Anglisë, Manchester City, Benjamin Mendy pasi përdhunoi një vajzë i tha asaj “Mos u mërzit, unë kam shkuar me gati 10,000 femra”, u tha sot në gjyqin e tij.

28-vjeçari i kombëtares franceze akuzohet se ka sulmuar të renë e cila ishte 24 vjeçe në kohën e sulmit, në vilën e tij 4mln paundë në Cheshire, në veri të Anglisë, në tetor 2020.

Ai akuzohet gjithashtu për përdhunimin e një tjetër gruaje, asokohe 29 vjeçe, e cila dëshmon se e kishte sulmuar pasi e ftoi në shtëpinë e tij dy vjet më herët.

Futbollisti i mohon të gjitha akuzat në gjykatën e Chester.

Juria me gjashtë gra e gjashtë burra u njoftua nga gjykatësi Stephen Everett, se futbollisti nuk ishte shpallur fajtor për akuza të tjera seksuale në gjyqin e janarit, megjithë pretendimet e disa vajzave.

Ai paralajmërooi jurinë që të marrin vendimin e tyre bazuar në dëshmitë e dëgjuara për përdhunimin dhe tentativën e përdhunimit.

Ai këshilloi jurinë të mos konsultonte detaje të akuzave të mëparshme në media dhe të vendosnin vetëm sipas provave të paraqitura në gjyqin aktual.

Prokurori Benjamin Aina tha: “Benjamin Mendy është një futbollist i Manchester City që mbante festa dhe grumbullime shoqërore në shtëpinë e tij në Mottram St Andrew, Cheshire.”

“Ai priste të ftuar meshkuj e femra po në dy raste Mendy ka abuzuar me dy të ftuara femra”.

“Në një rast ai tentoi të bënte seks me forcë me të ftuarën A, dhe në rastin tjetër ai bëri seks me forcë me të ftuarën B.”

Aina tha se Mendy ishte njohur me akuzuesen e parë A, një studente britanike, në një bar në Barcelonë në 2017, kur ajo ‘ishte në intimitet me një nga miqtë e tij’.

Një vit më vonë ajo kishte ardhur për vizitë në shtëpinë e futbollistit, ku një mëngjes ai kishte tentuar ta përdhunonte, sipas akuzës.

Dy vjet më vonë ai kishte njohur vajzën B në një bar të zonës në Cheshire, dhe më pas e kishte ftuar në shtëpi ku e kishte përdhunuar, sipas akuzës.

Futbollisti thotë se në të dyja rastet seksi ishte konsensual, ndërsa gjyqi vazhdon.

FOTO GALERI
1/5
28-vjeçari i kombëtares franceze akuzohet se ka sulmuar të renë e cila ishte 24 vjeçe në kohën e sulmit, në vilën e tij 4mln paundë në Cheshire

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA