Besimtarët nëpër botë festojnë Kurban Bajramin, në Suedi priten “trazira”!

28/06/2023 11:39

Besimtarët myslimanë në mbarë botën kremtojnë sot Kurban Bajramin, festa e sakrifikimit që nis në ditën e tretë të Haxhit.

Kjo festë e rëndësishme e fesë islame zgjat katër ditë. Shumë muslimanë në mbarë botën therin Kurbanin, një ritual që të kujton sakrificën e Ibrahimit i cili ishte gati të sakrifikonte djalin e tij me urdhër të Zotit. Pelegrinazhi në Mekë është një nga “pesë shtyllat e fesë islame” dhe konsiderohet si një detyrim qendror i kësaj feje. Sipas mësimeve islame, çdo besimtar i rritur duhet ta bëjë këtë pelegrinazh të paktën një herë në jetën e tij, nëse këtë e lejojnë shëndeti dhe kushtet.

Për të parën herë që prej fillimit të pandemisë së koronavirusit, këtë vit pelegrinazhi mbahet pa kufizime. Besimtarët e mbledhur atje e nisën ditën e sotme me lutje në Xhaminë e Madhe të mekës.

Në Arabinë Saudite, më shumë se 1.8 milionë besimtarë myslimanë kishin marrë pjesë më herët në ngjitjen e Malit Arafat mes temperaturash që mbërrinin deri në 48 gradë Celsius.

“Është tmerrësisht nxehtë tha njeri prej tyre, por jemi me fat dhe te bekuar që ndodhemi këtu sot. Duhet të sakrifikosh, nuk duhet t`i marrësh gjërat për të mirëqena”, shton ai.

Palestinezët e falën namazin e Kurban Bajramit në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Jerusalem. Lutjet e tyre këtë radhë vijnë në mesin e një ashpërsimi të tensioneve me Izraelin, sidomos në Bregun Perëndimor ku shteti hebre po planifikon shtimin e vendbanimeve të shumëkontestuara nga palestinezët. Në Gaza, zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, përcolli shpresën që festat e ardhshme t`i kremtojnë të lirë e të pavarur.

Në Xhaminë e Madhe të Heratit, besimtarët myslimanë afganë u lutën për paqe, shëndet e begati.

Myslimanët janë mbledhur sakaq në Xhaminë e Madhe të Stokholmit nën një prani të shtuar të policisë pasi autoritetet suedeze thane se kanë dhënë një leje për një protestë ku organizatori thotë se planifikon të djegë një Kuran gjatë ditës, pikërisht në fillimin e festës së Kurban Bajramit.

Kurban Bajrami konsiderohet festa e dytë më e madhe myslimane pas Fitër Bajramit, i cili shënon fundin e Ramazanit, muajin e agjërimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA