SHBA “kundër” Izraelit: Mos zgjeroni vendbanimet, po pengoni paqen

27/06/2023 08:30

Planet e qeverisë izraelite për ndërtimin e rreth 5.700 shtëpi të reja në Bregun e pushtuar Perëndimor, kanë shqetësuar Washingtonin.

Shteti hebre njoftoi se ka ndërmend t`i shkojë deri në fund nismës për zgjerimin e vendbanimeve, pavarësisht presionit amerikan kundër një hapi të tillë të cilin e sheh si pengesë për paqen me palestinezët.

“Shtetet e Bashkuara e shohin me shqetësim të madh një lëvizje të tillë. Zyrtarët amerikanë ia kanë bërë të qartë publikisht dhe privatisht palës izraelite kundërshtinë e tyre ndaj zgjerimit të vendbanimeve, sepse besojmë që kjo do të pengonte negociatat për arritjen e një zgjidhjeje me dy shtete”, tha Mathew Miller, zëdhënës i DASH.

Katër izraelitë të zhvendosur në ato zona janë qëlluar për vdekje nga palestinezët javën e kaluar, duke nxitur kështu disa ditë dhune. Grupi militant palestinez Hamas e pranoi se sulmuesit ishin pjesëtarë të tij. Situata mes palestinezëve dhe izraelitëve është përshkallëzuar që kur kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu fitoi një mandate të ri vitin e kaluar, ndërsa koalicioni i tij nacionalisto-fetar zotohet të zgjerojë praninë e tij në Bregun Perëndimor.

Sipas grupit izraelit kundër zgjerimit, Paqja Tani, në gjashtë muajt e fundit janë parë të ndërtohen mbi 13.000 shtëpi në Bregun Perëndimor – rreth tre herë më shumë sesa shifra totale e vitit të kaluar. “Qeveria izraelite është duke ecur me hap të pashembullt drejt aneksimit të plotë të Bregut Perëndimor”, pohoi organizata përmes një deklarate. Shumica e shteteve i konsiderojnë vendbanimet në atë zonë të ndërtuara në tokën e pushtuar nga Izraeli në luftën e vitit 1967, si ilegale, sipas ligjit ndërkombëtar, ndërsa Izraeli vetë nuk pajtohet me një vlerësim të tillë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA