Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka marrë pjesë në takimin përmbyllës të Kryesisë së Malit të Zi, në Nismën e Procesit të Bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore (SEECP).
Takimi u organizua nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, në Podgoricë. Presidenti Begaj, i cili kryesonte delegacionin shqiptar, mbajti një fjalë për të pranishmit gjatë takimin e nivelit të lartë dhe më pas një prononcim për mediat.
Gjatë fjalës së mbajtur, Begaj përgëzoi Malin e Zi për punën e kryer në Kryesinë e Radhës të SEECP, duke theksuar se çdo nisëm që ka synim afrimin dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal të domosdoshme dhe të nevojshme.
“Vetë prezenca në këtë nisëm e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian por edhe të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, tregojnë mbështetjen e tyre për Shqipërinë, dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në rrugëtimin e tyre euroatlantik,” – tha Begaj.
Presidenti shtoi se sfidat e shumta me të cilat po përballen shoqëritë e Ballkanit Perëndimor dhe të vendeve të Evropës Juglindore janë të ngjashme, ndaj për zgjidhjen e tyre kërkohet angazhim i përbashkët, ku të përdoren praktikat më të mira dhe eksperiencat më të mira.
Duke u ndalur tek sfidat e sigurisë, Begaj nënvizoi se: “Natyrisht që situata e sigurisë në Evropë për shkak të luftës në Ukrainë ka ndryshuar. Fokusi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor është rritur, është fuqizuar, dhe ne si vende të Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Juglindore duhet të bashkëpunojmë më mirë rreth sfidave të cilat shqetësojnë më shumë popujt tanë, siç është sfida e sigurisë, sfida e bashkëpunimit ekonomik, sfidat e lidhura me energjinë, me infrastrukturën, me agjendën e gjelbër apo me transformimin digjital.”
Duke e konsideruar samitin si të suksesshëm, Presidenti shtoi më tej se vetëm duke qenë të bashkuar e të unifikuar, mund të përballohen sfidat e së ardhmes. Në fund të prononcimit të tij, Begaj përgëzoi Maqedoninë e Veriut për Kryesimin e ardhshëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës.
Top Channel