Mbrëmjen e të hënës, nisi në Mekë pelegrinazhi i myslimanëve që pritet të tërheqë miliona njerëz nga e gjithë bota. Për herë të parë që nga pandemia e koronavirusit, Haxhi po mbahet sërish pa kufizime dhe pa kushte të veçanta.
Sipas autoriteteve saudite, rreth 2.6 milionë myslimanë priten në vendlindjen e Profetit Muhamed, qyteti më i shenjtë i fesë islame. Deri të shtunën, atje do të mbahen ritualet e caktuara në faltoren e Qabes dhe në vende të ndryshme pranë Mekës. Numri i lartë i vizitorëve pasqyron edhe hapjen ekonomike dhe hapjen e kujdesshme politike të Mbretërisë së Arabisë Saudite. Këtë vit për herë të parë edhe femrat lejohen të kryejnë Haxhin pa pasur me vete ndonjë kujdestar mashkull. Përpara pandemisë, në Haxhin e 2019-tës morën pjesë rreth 2.5 milionë myslimanë nga e gjithë bota, por dy vitet pasuese Arabia Saudite e uli në mënyrë drastike numrin e pjesëmarrësve, për shkak të virusit.
Vetëm 10.000 besimtarë u pranuan në Haxh më 2020 dhe në 2021-shin, 60.000. Përveç kësaj, zbatoheshin kushte të rrepta dhe pranoheshin vetëm besimtarët që jetojnë në Arabinë Saudite dhe ishin të moshës 18 deri në 65 vjeç. Në vitin 2022, afro 900.000 pelegrinë u lejuan të udhëtonin në Mekë dhe të vizitojnë varrin e Profetit Muhamed në Medinë, duke përfshirë rreth 780.000 myslimanë nga jashtë.
Por vetëm nëse ata ishin nën 65 vjeç, nëse ishin të vaksinuar dhe mund të tregonin një test negative. Këtë vit, zyrtarët sauditë thonë se do të jenë dëshmitarë të pelegrinazhit më të madh në histori. Kurban Bajrami, apo Festa islame e sakrificës nis të mërkurën që është dita e tretë të Haxhit.
Ajo është festa më e madhe e fesë islame dhe zgjat katër ditë. Shumë myslimanë në mbarë botën therin Kurbanin, një ritual që të kujton sakrificën e Ibrahimit (Abrahamit) të përmendur në Kuran dhe Bibël, i cili ishte gati të sakrifikonte djalin e tij me urdhër të Zotit. Pelegrinazhi në Mekë është një nga “pesë shtyllat e fesë islame” dhe konsiderohet si një detyrim qendror i kësaj feje.
Top Channel