Kompania Meta, që ka në pronësi Facebook-un dhe Instagram-in njoftoi se planifikon t’i kufizojë lajmet në platformat e saj për kanadezët, lëvizje kjo që pason miratimin e një projektligj kontrovers për lajmet në internet nga parlamenti i Kanadasë.
Nisma ligjore në fjalë i detyron platformat e mëdha teknologjike të kompensojnë botuesit e lajmeve për përmbajtjen e postuar në faqet e tyre. Meta dhe Google kishin nisur ta testonin tashmë kufizimin e qasjes tek lajmet për një pjesë të përdoruesve kanadezë. Një ligj i ngjashëm bëri në 2021-shin, edhe australianëve t`i bllokohej shpërndarja dhe leximi i lajmeve në Facebook.
Ligji për lajmet në internet i miratuar një ditë më parë në Kanada parashtron rregulla që u kërkojnë platformave si Meta dhe Google të negociojnë marrëveshje tregtare dhe të paguajnë organizatat mediatike për kontentin e tyre. Meta than ë një deklaratë të saj se “ligji ka probleme thelbësore dhe injoron realitetin e funksionimit të këtyre platformave”.
“Një kuadër legjislativ që na detyron të paguajmë për linqet dhe përmbajtjet të cilët ne nuk i postojmë dhe që nuk janë arsyeja pse shumica dërrmuese e njerëzve i përdorin platformat tona, nuk është as i qëndrueshëm dhe as i zbatueshëm”, tha një zëdhënës i kompanisë për Reuters.
Argumenti i qeverisë kanadeze është se ligji i lajmeve në internet është i nevojshëm “për të rritur drejtësinë në tregun kanadez të lajmeve dixhitale” dhe për t’i lejuar mediat në vështirësi të “sigurojnë kompensim të drejtë” për lajmet dhe linqet e shpërndara nëpër platforma.
Top Channel