Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Vlorës pasi ndihmuan për të kaluar në mënyrë të paligjshme në kufi, kundrejt pagesës, 9 emigrantë nga vendet e treta.
Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se DVKM Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Speciale “Delta” dhe Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Vlorë, kanë arrestuar në aksin rrugor Vlorë-Qeparo, shtetasit G. A., 34 vjeç dhe E. P., 34 vjeç, të dy banues në Tiranë.
34-vjeçarët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, po transportonin kundrejt pagesave, 9 emigrantët nga vendet e treta të cilët kishin si qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të kundërligjshme.
Si rezultat i veprimeve hetimore janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy automjetet me të cilat transportoheshin emigrantët. Sakaq, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel