Lojëra fati në lokal/ Sekuestrohen tetë kompjuterë, vihet në kërkim pronari në Kurbin

21/06/2023 09:21

Një lokal ku zhvillohej aktiviteti i paligjshëm i lojërave të fatit është zbuluar në Kurbin, ndërsa është shpallur në kërkim pronari.

Nga kontrollet në katin e parë të një pallati në lagjen “Drita”, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 8 kompjuterë që shërbenin për këtë veprimtari të kundërligjshme.

Si rezultat i veprimeve hetimore për këtë rast, u identifikua dhe u shpall në kërkim poseduesi i dyshuar i këtyre pajisjeve, shtetasi A. S.(alias J. P.) 45 vjeç, banues në Mamurras, njëkohësisht, pronari i lokalit ku u gjetën kompjuterat. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Gjatë 2 fazave të mëparshme të operacionit “Basti i fundit”, janë vënë në pranga 3 shtetas, janë proceduar penalisht 4 shtetas, si dhe janë sekuestruar 13 kompjutera, 2 tavolina pokeri, 2 valixhe me çipsa, celularë dhe pajisje të tjera që shërbenin për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA