Jemi në verë dhe diçka është e padiskutueshme, kush shkon me pushime në plazh do të postojë në rrjetet sociale.
Por e keni menduar ndonjëherë të kaloni pushimet tuaja pa e përdorur fare celularin tuaj dhe rrjetet sociale? Megjithëse mund të jetë e vështirë për disa që t’i rezistojnë e-maileve të punës apo rrjeteve sociale gjatë pushimeve, ishulli Ulko-Tammio në Finlandë po u kërkon vizitorëve të injorojnë ekranet e tyre dhe të shijojnë natyrën.
Duke pretenduar të jetë ishulli i parë turistik në botë pa telefona, Ulko-Tammio ndodhet në Gjirin Lindor të Finlandës, një park kombëtar në vendin nordik që është quajtur “vendi më i lumtur në botë” gjashtë vjet me radhë.
Dhe për ironi, ky vend është quajtur shtëpia e Nokia-s, marka që qëndron pas smartfonit më të shitur në botë të të gjitha kohërave.
“Ishulli Ulko-Tammio, i cili ndodhet në brigjet e Hamina, do të jetë një zonë pa telefona këtë verë,” tha Mats Selin, një ekspert në turizmin ishullor në Visit Kotka-Hamina, në një njoftim për shtyp.
“Ne duam t’i nxisim pushuesit të fikin pajisjet e tyre inteligjente dhe të ndalojnë dhe të shijojnë ashtu siç duhet ishujt.”
Një nga 41 parqet kombëtare të Finlandës, Ulko-Tammio është i pabanuar nga njerëz, por është shtëpia e shumë zogjve dhe bimëve të rralla, të cilat vizitorët mund t’i shohin në një shëtitje përgjatë shtigjeve natyrore të ishullit ose nga kulla e shpendëve të ishullit.
Megjithatë, stafi i Parks & Ëildlife Finland, kompania që menaxhon ishullin, shpreson që fushata të përkthehet që turistët të shkëputen nga ekrani dhe të angazhohen me florën, faunën dhe vizitorët e tjerë.
“Fikja e telefonit, eksplorimi i natyrës dhe takimi me njerëz ballë për ballë do të rrisin disponimin dhe mirëqenien tuaj”, tha në një njoftim për shtyp Sari Castrén, psikologe dhe menaxhere kërkimore në Institutin Finlandez për Shëndetin dhe Mirëqenien. “Ne shpenzojmë orë të panumërta duke lëvizur burimet tona të mediave sociale, kështu që të marrësh një pushim të shkurtër prej tyre do të thotë që të kesh më shumë kohë për përvoja të reja.”
Vizitorët mund të kalojnë netët e tyre pa telefon në ishull në tenda ose në një kabinë të mirëmbajtur nga Parks & Wildlife Finland.
Ishujt si Ulko-Tammio në Gjirin Lindor të Finlandës zakonisht aksesohen nëpërmjet varkës private, trageteve të udhëtarëve ose taksisë së ujit – thjesht mos i tregoni askujt që po përdorni telefonin inteligjent për t’i rezervuar.
Përshtatur nga CNN
Top Channel