Njësia e Lukovës i dha Fredi Belerit 1200 vota në zgjedhjet e 14 majit.
Në këtë fillim sezoni turistik, Lukova duket një vend i braktisur dhe pa lëvizje. Banorët në këtë zonë e kanë më të vështirë për të folur për mënyrën se si është zhvilluar fushata.
Jashtë kameras ata tregojnë se kanë frikë të flasin pasi u tremben pasojave në jetën e tyre të përditshme. Këtu, kandidati socialist mori vetëm 70 vota më shumë.
Borshi është një nga fshatrat pjesë e njësisë Lukovë të Bashkisë Himarë. Fuat Mati në zgjedhjet vendore të 14 majit u zgjodh një nga këshilltarët bashkiakë të Himarës si pjesë e listës së koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”. Ai është këshilltar i koalicionit që mbështeti Belerin por thotë se deklaratat për helenizim nuk qëndrojnë shumë në këto anë.
“Unë jam komunitet musliman, i gjithë fshati Borsh, nuk bën vaki që ne të njësohemi e të bëhemi komunitet grek, dikush mund të thotë që ka një prapavijë, ne këtu jemi, ne nuk ndryshuam”, u shpreh këshilltari nga Bashkë Fitojmë, Fuat Mati.
Megjithëse Borshi është një zonë myslimane shqiptare, influenca e faktorit greke edhe aty është prezente.
“Ore të gjithë këtu në kët fshat i ke Spiro dhe Vasil çdo u japë Beleri e do u marrë Beleri. Na ka zënë rrota bishtin që kemi investuar këtu po është për të ikur natën”, tha Fuat Mati.
Të dhënat që Policia e Shtetit i dha Inside Story, flasin për një numër të madh shtetasish grekë që kanë hyrë në Shqipëri javën e zgjedhjeve.
Nga pika kufitare e Tre Urave kanë hyrë në Shqipëri 241 persona me shtetësi greke. Nga Kakavija kanë hyrë 5837 persona, ndërkohë që nga Qafë Bota kanë hyrë 4747 persona. Nëse shohim më me imtësi të dhënat zyrtare, hyrjet kanë qenë disa qindra deri me datë 10 maj, ndërkohë që katër ditët në vijim, në Shqipëri kanë hyrë mijëra shtetas grekë, pra përtej normales ditore.
Vetëm ditën e zgjedhjeve, me 14 maj kanë hyrë në Shqipëri 1450 shtetas grekë nga tre pikat kufitare të marra në vëzhgim. Në total gjatë javës së zgjedhjeve, nga data 8 maj deri në 14 maj, kanë hyrë gjithsej 10,825 shtetas me pasaportë greke.
Top Channel