Inside Story/ Dokumente ekskluzive që zbulojnë sabotimin, kush e zhduku dosjen e “Belerit” për Peshkëpinë

21/06/2023 22:14

Sot Fredi Beleri është 51 vjeç. Në vitin 1994, kur ai ishte 22 vjeç, dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi që inicioi dhe kreu atë që njihet si masakra e Peshkëpisë.

Në investigimin e realizuar më herët nga Inside Story, në dosjen hetimore të zbardhur totalisht renditeshin prova që implikonin Belerin. Në fund, ato u konsideruan të pamjaftueshme për ta shpallur fajtor për vrasjen e dy ushtarëve shqiptarë.

Në 10 prill të vitit 1994, shtatë persona të veshur me uniformë ushtarake greke janë futur në postën kufitare të Peshkëpisë në Gjirokastër. Ata kanë vrarë rojën Arsen Gjini dhe komandantin Fatmir Shehu. Tre ushtarë mbetën të plagosur.

Të nesërmen e sulmit, ngjarja u mor përsipër nga organizata terroriste greke MAVI ose quajtur ndryshe “Fronti për Çlirimin e Vorioepirit”.

Rreth një vit më pas, në 19 mars të vitit 1995, Beleri u ndalua në Greqi së bashku me 6 persona të tjerë. Këtë episode ai e ka deklaruar edhe në formularin e dekriminalizimit.

Sipas informacioneve, ata ishin nisur për të kryer një sulm të ngjashëm me Peshkëpinë, kësaj radhe në Postën Kufitare pranë fshatit Llongo në Shqipëri. Megjithatë ata ishin ndeshur rrugës me të shtëna nga disa gjuetarë dhe më pas ishin larguar përsëri drejt Greqisë.

Ajo që të bën përshtypje është se në dokumentet e asaj kohe atësia e Fredi Belerit shkruhej Foto Beleri dhe jo Petro Beleri. Pra, këtu lindin dyshime për falsifikim.

Megjithëse armët e gjetura nga Policia Greke ishin ato të vjedhura në Peshkëpi të Gjirokastrës, gjykata në Athinë u shpreh se këto nuk ishin prova të mjaftueshme dhe të shtatë personat e dyshuar u liruan.

I pyetur në vitin 2022 nga Inside Story në lidhje me Masakrën e Peshkëpisë, Beleri e mohoi përfshirjen e tij por ai nuk mohoi që në aktivitetin e tij ndër vite të ketë bërë thirrje kundër shtetit shqiptar.

“Unë kam bërë deklarata kundër shtetit shqiptar, kam bërë edhe veprime që janë afër logjikës së ekstremit të djathtë, po kurrë , e di gjithë Himara dhe opinion publik që nuk kam lidhje me të”, ka cituar Fredi Beleri.

Pra, Beleri nuk mohoi përfshirjen e tij në ngjarjet e vitit 2003 për të cilat folëm më lart, por për Masakrën e Peshkëpisë ai thotë që nuk ka qenë i përfshirë .

“Nuk kam asnjë lidhje me këtë çështje, drejtësia shqiptare foli, dhe më dha pafajësinë, në kohën që ka ndodhur incidenti skam qenë as në Greqi as Shqipëri, kam qenë në Qipro, ky fakt prodhohet nga biletat e avionit hyrjet daljet në aeroport, pasaporta atëherë”, ka cituar Beleri.

Në një dokument sekret të Antiterrorit që Inside Story e zotëron, pjesë e rihetimit thuhet shprehimisht se vetë Beleri është shprehur krenar për atë episod.

“Në datë 08.05.2007 evidentohet se Fredi Beleri është shprehur se ka qenë një ndër autorët e incidentit të ndodhur në Postën Kufitare të Peshkëpisë në Gjirokastër në vitin 1994. Ai është shprehur krenar për atë që ka bërë dhe nëse i kërkohet do ta bëjë përsëri”, citohet ne dosjen hetimore.

“Në shtetin shqiptar nuk janë bërë hetime të mirëfillta dhe kjo ngjarje ka mbetur pa autor. Prandaj hijet e dyshimit bien mbi ata që kishte hije dyshimi, kjo teoria që s’janë këta është e pamundur të thuhet, teoria që janë të tjerë nuk e dimë, se nuk janë të tjerë të përmendur, ose s’ka pas autorë dhe ka ndodhur nga zoti, është një ngjarje shumë e rëndë në marrëdhëniet shqiptaro-greke”, u shpreh studiuesi Ardit Bido.

Në fakt Masakra e Peshkëpisë kishte të bënte me cënimin e territorit të Shqipërisë, nga një organizatë terroriste që kishte synime për të krijuar një ndërhyrje ushtarake dhe për të çliruar vorio-epirin, një fantazëm të 100 viteve më parë.

Në vitin 2019 u rihap nga Prokuroria e Krimeve të Rënda një hetim për Masakrën e Peshkëpisë dhe rolin e Fredi Belerit dhe personave të tjerë. Ai u mor dy herë në pyetje dhe u vu përballë dëshmive që e implikonin por I qëndroi fort alibisë së tij se në atë kohë ndodhej në Qipro.

“Në lidhje me këtë gjë unë kam për te thënë se nuk kam asnjë lloj lidhjeje me këtë ngjarje, ne kohen qe ka ndodhe ngjarja unë kam qene ne Qipro dhe nuk njoh asnjë rrethane dhe asnjë detaj te kësaj ngjarjeje”, ka cituar Beleri.

Edhe pse ai u kap së bashku me personat e tjerë në makinën ku ishin fshehur armët e vjedhura në POstën e Peshkëpisë, çështja u mbyll.

Unë në lidhje me ato armë nuk kam pasë djeni që kanë qenë në bagazhin e makinës dhe për to mësova kur na ndaloi policia.

Sipas të dhënave, prokuroria ka dërguar letërporosi për të marrë informacione në shtetin grek por kjo ka rezultuar pa sukses duke mos marrë kështu një përgjigje.

Kjo është letërporosia, përgjigja për të cilën nuk erdhi kurrë nga Shteti Grek. Pra, Greqia nuk iu përgjigj një interesi të Prokurorisë shqiptare për të hetuar Fredi Belerin.

Kujtojmë se edhe nëntë vite pas ngjarjes së Peshkëpisë, Policia e Gjirokastrës ka bërë përpjekje për të rihapur hetimet por edhe në atë kohë nuk ka pasur mbështetjen e autoriteteve greke për të dhënë informacione për Belerin dhe bashkëpunëtorët e tij.

Megjithatë, duket se sabotim për çështjen ka pasur edhe nga brenda, në Shqipëri. Kur në vitin 2019 u rihap hetimi për Masakrën e Peshkëpisë, Prokuroria për Krime të Rënda i ka kërkuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë përcjelljen e akteve të çështjes. Nga dokumentat që Inside Story disponon, dosja e ngjarjes së vitit 1994 është zhdukur. Në atë fashikull ndodheshin aktet e papërsëritshme të hetimit. Kjo është kërkesa drejtuar gjykatës për të marrë të dhënat e çështjes.

“Nga studimi i akteve të dosjes, ka rezultuar se aktet e këtij procedimi penal janë ndarë dhe janë dërguar për gjykim në Gjykatën e Rrethit Tiranë (Kolegji Ushtarak) me të pandehur shtetasit Pilo Ndini dhe Arjan Guma të akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës. Këta shtetas janë dënuar me vendimin nr. 149 të Gjykatës Penale Ushtarake Tiranë. Për këtë arsye kërkojmë nga ana juaj një kopje të këtij fashikulli gjykim”, është cituar në shkresat e Gjykatës, Tiranë.

“Nga ana e saj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë përmes shkresës Nr 1169/1 datë 16.05.2019 ka kthyer përgjigje sipas së cilës ka rezultuar se: nga verifikimet e kryera rezulton se në vend të dosjes gjyqësore është vetëm një fashikull bosh dhe në vend të vendimit është gjithashtu një fletë formati bosh.

Gjithashtu duke marrë shkas nga shënimi shkresës brenda fashikullit u bënë kërkime të mëtejshme si në indekset e çështjeve penale edhe në indekset e çështjeve penale ushtarake, por deri në vitin 1998 nuk rezultoi asnjë e dhënë”, citohet në dosjen hetimore në SPAK.

Duket se dikush u kujdes që materialet që kompromentonin Belerin dhe grupin e tij të mos shkonin si prova për hetimin. Zhdukja misterioze e të dhënave, bashkë me mos ardhjen e të dhënave nga Greqia e bënë të pamundur këtë hetim kaq të rëndësishëm.

Hetimet e hapura në vitin 2019 u mbyllën në vitin 2021 për mungesë të provave.

Për mediat në Shqipëri, Beleri ka thënë se në vitin 1994 ai ka qenë në Qipro. Ndërsa ka deklaruar po ashtu se është larguar drejt Greqisë më herët, në vitin 1990, në ishullin e Zakinthosit ku ka punuar si hidraulik dhe kamarier.

Në një procesverbal të mbajtur kur u rihap hetimi për të nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Beleri deklaron se nga janari deri në qershor të vitit 1994 ka qenë në kryeqytetin e Qipros, Nikosia. Ai thotë se ka kryer një kurs profesional për kondicionerë dhe hidraulik ku ishin plot 100 veta, ndër ta minoritarë dhe shtetas shqiptarë me kombësi greke.

Megjithatë aktiviteti i Belerit në Greqi dhe veçanërisht në Qipro mbetet enigmatik dhe i dyshimtë. Një person nga Himara me kaq pushtet në Greqi aq sa të mund të pajisë me pasaporta, pensione por edhe të mira të tjera materiale bashkëqytetarët e tij por edhe të zonave përreth Himarës.

Pas kthimit në Shqipëri ai u mor me aktivitet politik. Në vitin 2014 Beleri u rikthye në Shqipëri ku u zgjodh kryetar i degës së Himarës për organizatën Omonia.

Edhe pse i dyshuar për Masakrën e Peshkëpisë, Fredi Beleri u rishfaq në skenë në vitin 2015 kur kandidoi me PBDNJ-në kundër Jorgo Goros në garën për kryebashkiak të Himarës nga ku mori vetëm 27% të votave.

Ai donte të rikandidonte edhe në zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019 si kandidat i pavarur por KQZ e refuzoi me motivacionin se kishte konstatuar shkelje në formularin e Dekriminalizimit. Kjo lidhej me dënimin në vitin 2006 për nxitje të urrejtjes nacionale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA