Aleatët premtojnë miliarda dollarë për rindërtimin e Ukrainës në konferencën e Londrës

21/06/2023 18:22

Aleatët e Ukrainës premtuan disa miliarda dollarë ndihma për të rindërtuar infrastrukturën e shkatërruar nga lufta, për të luftuar korrupsionin dhe për të ndihmuar në hapjen e rrugës së vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Duke theksuar nevojat e mëdha, diplomatët dhe udhëheqësit politikë në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës në Londër u kërkuan kompanive të sektorit privat të investojnë për të ringjallur një ekonomi të goditur nga pothuajse një vit e gjysmë luftë.

Delegatë nga më shumë se 60 vende morën pjesë në konferencë, e cila është njëkohësisht një forum për mbledhjen e fondeve dhe një mesazh për Rusinë se mbështetësit perëndimorë të Ukrainës do të jenë përkrah Kievit për një kohë të gjatë.

Sipas Bankës Botërore kostoja e rindërtimit vlerësohet në më shumë se 400 miliardë dollarë, një shifër që rritet çdo ditë krahas numrit të viktimave nga pushtimi rus. Politikanët nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara u zotuan se Rusia një ditë do të detyrohej të paguante për shkatërrimet – megjithëse zyrtarët e pranojnë se kjo ditë është ende e largët.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara do të japin më shumë se 1.3 miliardë dollarë ndihmë të re, duke përfshirë më shumë se 500 milionë dollarë për të rivendosur dhe përmirësuar rrjetin e dëmtuar energjitik të Ukrainës.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen njoftoi 55 miliardë dollarë deri në vitin 2027, ndërsa Britania premtoi 305 milionë dollarë ndihmë dhe 3.8 miliardë dollarë garanci kredie të Bankës Botërore për Ukrainën. Gjermania njoftoi 416 milionë dollarë ndihma humanitare.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i cili iu drejtua delegatëve përmes videos, tha se vendi i tij kishte nevojë për veprime, jo vetëm premtime.

“Ne duhet të kalojmë nga vizioni në marrëveshje dhe nga marrëveshjet në projekte reale,” tha ai.

Zoti Zelenskyy, i cili po bën presion që Ukraina të bashkohet me NATO-n dhe Bashkimin Evropian, u bëri thirrje udhëheqësve perëndimorë që të kenë “guximin” për të pranuar se vendi i tij është tashmë një pjesë kyçe e aleancave të tyre ekonomike dhe të mbrojtjes.

“Ne presim vetëm guximin e udhëheqësve të aleancës për ta njohur këtë realitet politikisht”, tha ai.

Presidenti Zelenskyy dëshiron të marrë një angazhim të plotë nga udhëheqësit e BE-së kur ata të takohen në tetor për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit.

Zonja Von der Leyen tha “Nuk ka asnjë dyshim se Ukraina do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian”, por theksoi se Kievi duhet të përmbushë ende kushtet përpara se të fillojë bisedimet e anëtarësimit duke përfshirë uljen e korrupsionit dhe reformimin e gjyqësorit.

“Pavarësisht luftës, Ukraina ka përshpejtuar axhendën e saj të reformave me shpejtësi dhe vendosmëri mbresëlënëse,” tha zonja von der Leyen. Ajo tha se reforma të tilla do të dërgonin “një mesazh të fuqishëm” për investitorët se ata do të kenë “transparencën, drejtësinë dhe institucionet funksionale që duhen për të investuar në Ukrainë”.

Sekretari Blinken theksoi gjithashtu rëndësinë e përpjekjeve kundër korrupsionit nga Ukraina, një vend i rrënuar prej kohësh nga korrupsioni. Ai tha se disa nga fondet amerikane do të shkojnë për përmirësimin e porteve dhe infrastrukturës kufitare dhe dixhitalizimin e procedurave doganore për të zvogëluar shkeljen e rregullave.

“Qëllimi është të rindërtojmë një Ukrainë që është e përshtatshme për BE-në”, tha Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, vendi i së cilës do të presë një tjetër konferencë për rimëkëmbjen vitin e ardhshëm.

Përpara konferencës, sekretari Blinken tha se Ukraina e pasluftës do të ketë nevojë për “ekonominë më të fortë të mundshme, demokracinë më të fortë” në mënyrë që të tërheqë investimet që do t’i nevojiten urgjentisht.

Konferenca synon të shfrytëzojë investimet e sektorit privat. Kryeministri britanik Rishi Sunak tha se firmat BT, Virgin, Philips dhe Hyundai Engineering janë midis më shumë se 400 kompanive nga 38 vende që janë zotuar të investojnë në Ukrainë.

Kryeministri Sunak tha se Ukraina është një “mundësi e madhe investimi” pavarësisht nga shkatërrimi në rritje nga sulmet ruse.

Zoti Sunak bëri thirrje për investime në teknologji dhe energjinë e gjelbër për të ndihmuar në ndërtimin e “një Ukraine financiarisht më të fortë dhe teknologjikisht të avancuar”.

Në konferencën e rimëkëmbjes të vitit të kaluar në Zvicër, Ukraina bëri thirrje që miliarda dollarë që i janë bllokuar Rusisë nga vendet perëndimore të përdoren për rimëkëmbjen e Ukrainës.

Kjo është ende në fazën e diskutimit në vende të ndryshme por Britania ndërmori një hap në këtë drejtim këtë javë, duke zgjatur sanksionet ndaj Rusisë në mënyrë që fondet të mbahen të ngrira derisa Ukraina të marrë kompensim për pushtimin.

“Le të jemi të qartë: Rusia po shkakton shkatërrimin e Ukrainës dhe Rusia përfundimisht do të përballojë koston e rindërtimit të Ukrainës”, tha zoti Blinken./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA