Një burrë i armatosur me sëpatë bastisi tre restorante fqinje kineze në qytetin më të madh të Zelandës së Re, Auckland, duke plagosur katër persona përpara se të arrestohej nga policia.
24-vjeçari është ndaluar nga policia dhe akuzohet për plagosje me dashje.
I pandehuri, një shtetas kinez, u përball me gjykatën në orët e para të së martës. Ai u ndihmua nga një përkthyes i gjuhës kineze.
Policia tha se nuk dha një motiv për sulmin. Komandanti i Zonës Lindore të Waitemata, Stefan Sagar tha se nuk kishte prova se ishte një sulm me motive racore. I riu dyshohet se ka vepruar i vetëm.
Ndërkohë, policia ka shtuar praninë e saj në zonën përreth restoranteve të sulmuara.
Autori hyri në tre restorante të ndryshme në një rrugë ku ka një sërë restorantesh kineze me kosto të ulët, raportuan mediat lokale.
Stafi i një restoranti tha për mediat e huaja se si një mik i tyre u sulmua teksa po ushqehej.
“Isha në shok. Kur kuptova se çfarë po ndodhte, ai u përpoq të më vinte në shënjestër”, tha një dëshmitar. Ai shtoi se e ka bllokuar sëpatën me dorë, kur kuptoi se sulmuesi po synonte kokën e tij.
Një dëshmitar nga një restorant tjetër, tregoi se ai ishte duke ngrënë me një mike, në momentin që hyn agresori dhe e sulmon atë.
Tre persona ndodhen në spital në gjendje të qëndrueshme, ndërsa një i katërt ka dalë nga spitali.
Top Channel