Selia e Lojërave Olimpike “Paris 2024” kontrollohet, në skandalin e tretë radhazi të Lojërave Verore

20/06/2023 21:59

Policia franceze kontrolloi të martën selinë e organizatorëve të Lojrave Olimpike në Paris, si pjesë e hetimeve për korrupsion në kontratat e lidhura me Lojërat, sipas prokurorëve.

Është hera e tretë radhazi që akuzat për ryshfet kanë rënduar mbi Lojërat Olimpike Verore.

Komiteti organizativ i Parisit tha në një deklaratë se u krye një kontroll në selinë e tij në periferi të Saint-Denisit dhe se zyrtarët po bashkëpunojnë me hetuesit. Komiteti mbrojti ato që i quajti “procedura të rrepta” rreth disa qindra kontratave që ka dhënë për Lojërat Olimpike Verore.

Kontrolli i së martës dhe bastisjet e tjera janë të lidhura me dy hetime paraprake të Lojërave Olimpike të Parisit, sipas një zyrtari të zyrës së prokurorit financiar, i cili nuk ishte i autorizuar të prononcohej publikisht. Një hetim u hap në vitin 2017 – kur Parisi u zgjodh nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar si mikpritës i Lojrave 2024 – dhe tjetri filloi vitin e kaluar.

Asnjë hetim nuk ishte bërë publik deri të martën.

Akuzat për korrupsion kanë rënduar shumë herë mbi ngjarjen më të madhe sportive në botë – që nga akuzat rreth mënyrës se si u dhanë Lojërat Olimpike për vendin organizues e deri tek mënyra se si u shpërndanë kontratat për ndërtimin, sponsorizimin dhe shërbimet e ekipit.

Akuzat për blerje votash të lidhura me Lojërat Olimpike të Rio de Zhaneiros 2016 dhe Lojërat e Tokios në 2021 çuan në largimin e disa anëtarëve të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, IOC. Skandalet rreth Lojërave Dimërore në Salt Lake City të vitit 2002 çuan në reforma që kufizuan kontaktet e anëtarëve të IOC-së me vendet kandidate, megjithëse nuk e hoqën plotësisht mundësinë për korrupsion.

Por për Lojrat e Parisit 2024 ishin bërë shumë përpjekje për të provuar se do të ishin ndryshe. Ngjarja më e madhe që Franca po pret në dekada, Lojërat Olimpike po cilësohen si një festë e hapjes pas mbylljes së dy Olimpikeve nga pandemia COVID-19 dhe si një shembull i festimit demokratik pas dy Kupave Botërore të errësuara nga shqetësimet për të drejtat e njeriut në Katar dhe Rusi.

Organizatorët dhe bashkia e Parisit kanë theksuar frymën e transparencës dhe drejtësisë sociale – duke përfshirë planifikimin e një ceremonie hapjeje përgjatë lumit Sein që do të jetë falas për deri gjysmë milionë njerëz. Lojërat janë planifikuar për 26 korrik-11 gusht, 2024.

Saccage 2024, një grup kundër Olimpikeve që argumenton se Lojërat shkaktojnë dëme të mëdha ekologjike dhe sociale, tha se ishte “shumë i kënaqur” që u zhvilluan bastisjet.

“Për ne, një ngjarje me përmasa olimpike nuk mund të mbahet pa korrupsion,” tha grupi në një deklaratë. “Është madhësia e ngjarjes që e bën të nevojshme, pavarësisht nga vendi”.

Hetimi i hapur në vitin 2017 po shqyrton përvetësimin e dyshuar të fondeve publike dhe favorizimin, si dhe shqetësimet për një kontratë të paspecifikuar të arritur nga organizatorët e Parisit, tha zyra e prokurorit.

Hetimi i vitit 2022 pasoi një auditim nga Agjencia Franceze Kundër Korrupsionit. Zyra e prokurorit tha se çështja synon konfliktin e dyshuar të interesit dhe favorizimin që përfshin disa kontrata të arritura nga komiteti organizativ dhe Solideo, organi publik përgjegjës për infrastrukturën olimpike.

Organizatorët e Lojrat e Parisit 2024 nuk donin të komentonin mbi kontratat e përmendura nga prokurorët apo keqbërjet e supozuara. Në një deklaratë, Paris 2024 e përshkroi veten “si një nga organizatat më të audituara në Francë”, me monitorim të rregullt të qeverisjes së saj dhe procedura të ashpra që synojnë “transparencën dhe korrektësinë” rreth kontratave.

IOC tha në një deklaratë se organizatorët u njoftuan se po bashkëpunojnë me autoritetet.

Parisit iu dha e drejta për mikpritjen e Lojrave Olimpike gjashtë vjet më parë – dhe në të njëjtën kohë IOC shpërbleu gjithashtu rivalin e tij të vetëm të mbetur, Los Angeles, me Lojërat Verore 2028.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA