Biden e pranon: Kërcënimi i Putinit për armët bërthamore, është real

20/06/2023 10:04

Kërcënimi i Vladimir Putini për të përdorur armë bërthamore është real, pohoi presidenti amerikan Joe Biden pak ditë pasi denoncoi publikisht zhvendosjen e armëve të tillë në Bjellorusi.

Vendimin e Putinit për të dërguar në vendin fqinj armë taktike nukleare, kreu i Shtëpisë së Bardhë e përshkroi si krejtësisht të papërgjegjshëm. “Kur isha këtu jashtë rreth dy vjet më parë dhe thashë se shqetësohesha për tharjen e lumit Kolorado, të gjithë më shikonin sikur të isha i çmendur.

Po kështu më panë edhe kur rrëfeva se më shqetëson përdorimi i armëve taktike bërthamore nga Putin, por ky kërcënim është real”, u shpreh Biden përpara një grupi donatorësh në Kaliforni. Javën që shkoi, presidenti bjellorus Alexander Lukashenko e pohoi mbërritjen e një pjesë të arsenalit nuklear rus.

Disa prej atyre armëve, siç tha dhe ai, janë tre herë më të fuqishme se bombat atomike që SHBA hodhi në Hiroshima dhe Nagasaki në 1945. Presidenti rus deklaroi në 16 qershor se Rusia mund t’i përdorte armët bërthamore nëse do të ekzistonte një kërcënim ndaj integritetit territorial të saj. Por shtoi se vendi i tij nuk ndodhej përballë një nevoje të tillë.

“Armët bërthamore janë prodhuar për të garantuar sigurinë tonë dhe ekzistencën e shtetit rus, në kuptimin më të gjerë të fjalës, por për momentin nuk kemi një nevojë për t’i përdorur ato”, u shpreh ai. Si përgjigje ndaj pyetjeve te gazetareve në bordin e avionit presidencial ‘Air Force One’, zëvendës sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Olivia Dalton, ripohoi gjithashtu angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj parimit të NATO-s për mbrojtje kolektive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA