Mbollën kanabis në fshatin Gerrnac të Milotit, shpallen në kërkim 5 persona, kryetari i fshatit nën hetim

19/06/2023 13:59

Pesë persona janë shpallur në kërkim pasi dyshohet se merreshin me kultivim kanabis në Milot.

Gjatë operacionit “Imazhi” janë zbuluar përmes një droni 615 fidanë kanabis të kultivuara në zona të ndryshme malore, në territorin e fshatit Gerrnac, Milot. Pas kryerjes së veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies.

Për këto raste kultivimi, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim personat: I. A., 35 vjeç, S. A., 25 vjeç, K. S., 26 vjeç, K. S., 22 vjeç dhe L. H., 48 vjeç, banues në fshatrat Gerrnac dhe Vinjollë.

Gjithashtu po hetohet në gjendje të lirë kryetari i fshatit Gerrnac I.B 51 vjeç dhe inspektor i pyjeve të zonës ku u gjetën bimët narkotike M. Gj., 37 vjeç, për shpërdorim të detyrës.

Gjatë 15 fazave të mëparshme të këtij megaoperacioni, në fshatra të ndryshme të qarkut, u asgjësuan në total, nëpërmjet djegies, 18 366 fidanë kanabis, u vunë në pranga 3 persona dhe u shpall në kërkim 1 tjetër, autorë të dyshuar të kultivimit të këtyre fidanëve kanabis. Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë, për shpërdorim të detyrës, 1 kryetar fshati.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA