Blinken shtrëngon duart me Xi Jinping: SHBA shpresoj të zërë mend!

19/06/2023 13:38

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken është takuar me presidentin kinez, Xi Jinping në atë që përbën pikën kulmore të vizitës së tij dyditore në Kinë.

Fakti që kreu i shtetit kinez e takoi kryediplomatin amerikan po interpretohet si një mesazh që i dërgon ai qeverisë se po përpiqet të frenojë të tatëpjetën e marrëdhënieve mes dy vendeve. Protokolli normalisht e dikton që lideri kinez të takohet në këtë mënyrë vetëm me kryetarë të tjerë shtetesh, por tensionet e fundit SHBA-Kinë me sa duket kanë kërkuar një gjest të madh simbolik për të ndryshuar trajektoren e fërkimeve mes dy vendeve. Xi sqaroi se me SHBA-në kanë arritur disa marrëveshje, por nuk e kurseu një apel drejtuar administratës amerikane për më shumë kujdes.

“Të dyja palët kanë bërë përparim dhe kanë arritur marrëveshje në disa çështje specifike. Kjo është një gjë e mire. Shpresoj që përmes kësaj vizite, zoti sekretar ju do të jepni kontribute më pozitive për të stabilizuar raportet Kinë-SHBA”, tha Xi Jinping.

Blinken diskutoi gjithashtu për Tajvanin dhe çështje të tjera me një nga figurat më të larta të Partisë Komuniste kineze, diplomatin Wang Yi, në Pekin, në ditën e fundit të vizitës së tij në Kinë që synon të parandalojë që mospajtimet ndërmjet dy fuqive të shkojnë drejt konfliktit. Ai është i pari sekretar shteti i Amerikës që viziton Kinën pas pesë vjetësh. Duke i përshkruar raportet SHBA-Kinë si në pikën më të ulët, Wang tha se rrënjët e problemeve qëndrojnë në perceptimin e gabuar të SHBA-së për Kinën ndërsa për Tajvanin e bëri të qartë se “kina nuk ka hapësirë për kompromise e koncesione”.

Një ditë më parë, Blinken u takua me ministrin e Jashtëm kinez, Qi Gang. Takimi zgjati më shumë se shtatë orë e gjysmë dhe u përshkrua si  “konstruktiv”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA