BE: Bisedime pa kushte/ Mesazhi për Kurtin dhe Vuçiç: Mospranimi i takimit ka pasoja

19/06/2023 20:51

Pas thirrjeve të vazhdueshme për dialog mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Bashkimi Evropian nuk ka lënë vend për zgjedhje, teksa i kërkoi palëve të shkojnë në Bruksel pa kushte.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano deklaroi se data e takimit të krizës Kurti-Vuçiç, nuk është caktuar ende, pasi palët nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen e tyre deri më tani.

“Përfaqësuesi i Lartë Borrell ftoi palët që të vijnë në Bruksel në një takim krize për të gjetur një rrugëdalje nga përshkallëzimi që po shohim dhe për t’iu rikthyer zbatimit të marrëveshjeve të dialogut. Përfaqësuesi i Lartë dhe gjithashtu shtetet anëtare të BE-së presin një qëndrim më të arsyeshëm nga partnerët që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Të dyja janë të ftuar dhe presim që të vijnë pa parakushte”, tha Peter Stano.

Takimi sipas tij po ndodh për shkak se deri tani nuk kanë parë ndonjë hap të rëndësishëm për qetësimin e situatës në veri të Kosovës.

“Fatmirësisht nuk ka pasur përshkallëzim të mëtejshëm, por nga ana tjetër ende nuk kemi parë ndonjë hap domethënës për qetësimin e situatës. Kjo ishte arsyeja që Përfaqësuesi i Lartë i ftoi të dy liderët të vinin në një takim krize për të rënë dakord për një zgjidhje konkrete”, shtoi më tej ai.

Ndër të tjera zëdhënësi shtoi se prej veprimeve të Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e një zgjidhje në veri, do të merren vendimet e nevojshme të BE-së, teksa përmendi edhe mbledhjen e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së që pritet të mbahet javën e ardhshme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i pavendosur për t’iu përgjigjur kësaj ftese, ndërsa Vuçiç një ditë më parë deklaroi se nuk ka kuptim të zhvillohet ky takim, por ende përgjigjja nuk është zyrtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA