Arabia Saudite po ndryshon në heshtje tekstet e saj shkollore/ A mund të çojë kjo në pranimin e Izraelit?

19/06/2023 21:00

Tekstet shkollore në Arabinë Saudite kanë ndryshuar. 

Për vite të tëra, studiuesit kanë vëzhguar një moderim gradual mbi temat që variojnë nga rolet gjinore deri te promovimi i paqes dhe tolerancës.

Ndër ndryshimet që kanë tërhequr vëmendjen kohët e fundit, në dritën e raporteve se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të hapin rrugën drejt  normalizimit midis Arabisë Saudite dhe Izraelit, janë redaktime që lidhen me hebrenjtë, të krishterët dhe konfliktin izraelito-palestinez.

Një raport i lëshuar muajin e kaluar nga Instituti për Monitorimin e Paqes dhe Tolerancës Kulturore në Arsimin Shkollor (IMPACT-se) me qendër në Izrael dhe Londër, i cili kryesisht monitoron se si Izraeli dhe hebrenjtë janë portretizuar në tekstet arsimore, gjeti “pothuajse të gjithë shembujt që portretizojnë të krishterët dhe Hebrenjtë në një mënyrë negative” u hoqën nga tekstet më të fundit saudite, duke u mbështetur në tendencat e vërejtura në vitet e mëparshme.

Shembujt e shquar të hequr përfshijnë implikimet “se hebrenjtë dhe të krishterët janë armiqtë e Islamit”, ose që “hebrenjtë dhe të krishterët kritikohen se kanë “shkatërruar dhe shtrembëruar” Torën dhe Ungjillin”, sipas studimit.

Për Izraelin dhe palestinezët, IMPACT gjeti moderim, por jo ende pranim të plotë të Izraelit. Disa referenca për “armikun izraelit” ose “armikun sionist” janë zëvendësuar me “pushtimi izraelit” ose “ushtria izraelite pushtuese”. Por referenca të tjera negative ndaj Izraelit, si dhe mospërfshirja e tij në harta, vërehen gjithashtu në studim. Vazhdon të mos përmendet Holokausti.

Në kurrikulën 2022-2023, një mësim mbi poezinë patriotike hoqi një shembull të “kundërshtimit të vendbanimit hebre të Palestinës”. Një libër shkollor i studimeve sociale të shkollës së mesme nuk përmban më një seksion që përshkruan rezultatet pozitive të Intifadës së Parë, kryengritjes palestineze të fundit të viteve 1980 kundër Izraelit. Dhe një libër shkollor “hoqi një kapitull të tërë që trajtonte çështjen palestineze”.

Ndryshimet, tha IMPACT, “janë një shenjë inkurajuese se përparimi mund të përfshijë qëndrimet ndaj Izraelit”.

Organizata, e cila ka monitoruar tekstet shkollore saudite që nga fillimi i viteve 2000, shqyrtoi ndryshimet e bëra në më shumë se 80 tekste shkollore nga kurrikula saudite 2022-2023 dhe më shumë se 180 tekste nga kurrikulat e mëparshme.

IMPACT po këshillon gjithashtu ministrinë e arsimit të Emirateve të Bashkuara Arabe ndërsa përditëson kurrikulat e saj shkollore për të përfshirë arsimin për Holokaustin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA