300 të vdekur në tragjedinë e Mesdheut/ Viktimat, pakistanezë

19/06/2023 12:19

Bilanci i fundosjes së anijes me emigrantë pranë brigjeve greke është tragjik

Mbi 300 shtetas pakistanezë rezulton të kenë humbur jetën pas incidentit të peshkarexhës së mbingarkuar me njerëz, tragjedia më e fundit kjo që ekspozon krizën me të cilën përballet Bashkimi Europian teksa mijëra vetë vazhdojnë të kërkojnë një strehë të sigurt në Europë nga lufta, persekutimi dhe varfëria.

Kryetari i parlamentit në Pakistan, Muhammad Sadic Sanjrani, publikoi shifrën e re ndërsa i përcolli ngushëllimet e tij familjeve të prekura nga fatkeqësia.

“Mendimet dhe lutjet tona janë me ju dhe lutemi që shpirtrat e të ndjerëve të gjejnë paqe të përjetshme”, tha Sanjrani. “Ky incident shkatërrues nënvizon nevojën urgjente për të trajtuar dhe dënuar aktin e urryer të trafikimit të paligjshëm të qenieve njerëzore”, shtoi ai i cituar nga CNN.

Autoritetet greke ende nuk e kanë konfirmuar numrin e të vdekurve nga Pakistani. Ky vend është në mesin e krizës së tij më të rëndë ekonomike prej dekadash të tëra, ndërsa përpjekjet për të siguruar një shpëtim financiar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar janë ndërlikur nga trazirat e brendshme politike. Rritja ekonomik atje ka ngecur në vendnumëro, ndërsa inflacioni ka mbërritur nivele shqetësuese.

Pakistani po lufton sot për importuar produkte ushqimore bazike, e kjo shpeshherë ka çuar dhe në përplasje vdekjeprurëse në qendrat e shpërndarjes. Kryeministri Shehbaz Sharif  shpalli këtë të sotmen ditë zie kombëtare për ata që humbën jetën nga fundosja e peshkarexhës, ndërsa ka urdhëruar një hetim mbi incidentin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA