Antony Blinken në Kinë: Që lufta të mos bëhet realitet

18/06/2023 11:33

Dialog i vështirë SHBA-Kinë: Vizita e kryediplomatit amerikan, Antony Blinken në Pekin është një akt i vështirë i balancimit politik. Misioni më i rëndësishëm i Blinken: të ulë rrezikun e përballjes ushtarake me Kinën.

“Konkurrenca me Kinën të menaxhohet në atë mënyrë që të mos shndërrohet në konflikt”, kjo është porosia që presidenti Biden i ka dhënë me vete Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në një pritje në Shtëpinë e Bardhë pak ditë para vizitës në Pekin që fillon të dielën me takime bilaterale. Se sa e tensionuar është gjendja mes Kinës e SHBA u duk para pak javësh, kur gati pati një përplasje mes një anijeje ushtarake amerikane dhe kineze në Rrugën e Tajvanit. Shqetësim më të madh për ekspertët përbën fakti që të dyja palët komunikojnë më shumë përmes mediave dhe jo drejtpërdrejt. Ushtria e Pekinit refuzon të reagojë ndaj telefonatave nga Pentagoni.

“Proces i gjatë dhe i vështirë”

Që dialogu është i vështirë u duk edhe në Forumin Aziatik të Sigurisë në Sangri-La, Singapor, kur ministri amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se SHBA nuk “do të zbrapsen nga provokimet e Pekinit”. Në të njëjtën kohë homologu kinez, Li Shangfu nuk pranoi një takim bilateral në kuadër të samitit.

Uashingtoni këtë incident diplomatik nuk e ekzagjeroi më tej, e kjo tregon shqetësimin e SHBA para një shkallëzimi tjetër. “Do të jetë një proces shumë i gjatë dhe i vështirë të rikrijohen kanalet e komunikimit me Pekinin”, është i mendimit Noah Barkin, analist nga instituti studimor “Rhodium Group Research” për DW. Temat e konflikteve SHBA Kinë fillojnë me Tajvanin deri tek mbështetja që Kina i jep Rusisë dhe deri tek raportimet për instalim spiunazhi të Kinës përmes Kubës.Anije luftarake kineze në Rrugën e Tajvanit

Uashingtoni nga ana e tij përpiqet për shtensionim. “Të dyja palët kanë interes të mbajnë në funksionim kanale të qëndrueshme, të qarta dhe të hapura komunikimi”, thotë Kurt Campbell, koordinator në Shtëpinë e Bardhë për çështjet e Indopaqësorit. Por me sa duket të dyja palët kanë vlerësime të ndryshme. “Kinezët i shohin kontaktet, shkëmbimin dhe samitet si një favor që i bëjnë palës tjetër”, thotë Dean Cheng, këshilltar në Institutin Amerikan të Paqes, një qendër studimore e afërt me qeverinë. Fakti që SHBA nuk i publikoi informacionet në lidhje me balonën e spiunazhit të zbuluar në shkurt, konsiderohet në Pekin si një lëshim i Uashingtonit, gjë që mundësoi vizitën aktuale të Blinkenit.Anije amerikane vëzhgon një anije kineze në Rrugën e Tajvanit

Tajvani molla e sherrit

Një vizitë në një moment gjeopolitik të ndezur. Vitin e kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden shpalli një “epokë të re” të bashkëpunimit në hapësirën e Indopaqësorit dhe e thelloi këtë me perspektivën e bashkëpunimit për një sërë shtetesh të grupimit ASEAN, Japoni, Filipinet dhe Korenë e Jugut. Së fundmi SHBA deklaruan së fundmi se kanë qasje në bazat ushtarake të Filipineve. Kina e sheh këtë si provokim. Konflikte të tilla do të luajnë rol në takimin e Antony Blinken me ministrin e Jashtëm kinez, Qin Gang në Pekin, edhe kur Blinken të përmendë mbështetjen e Kinës për Rusinë. SHBA është e shqetësuar, që Kina e furnizon Rusinë me armë në luftë kundër Ukrainës, por deri tani SHBA nuk ka prova për këtë.

Në të njëjtën kohë deputetë të kongresit amerikan janë futur në një garë retorike për ashpërsim të politikë ndaj Kinës. Zëdhënësi i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy u takua me presidenten e Tajvanit, Tsai-Ing-Ven. “Nuk besoj se ndokush do një konflikt në Rrugën e Tajvanit”, është i mendimit, Noah Barkin. “Megjithatë është e vështire që të dërgohen mesazhet  e duhura, sidomos kur Pekini çfarëdo që ndodh në lidhje me Tajvanin e sheh si provokim.”Microsoft në Kinë

Varësi e dyanshme në tregti

Vija e ashpër politike që kërkon kongresi amerikan hedh hije në bisedimet për perspektivën e bashkëpunimit ekonomik. Para kontrolleve të eksportit për chipat e teknologjisë së lartë dhe teknologji të tjera, pritet që pala kineze të kërkojë lëshime nga Uashingtoni, sipas Barkin. Kjo vlen edhe për çështe të kontrolleve të teknologjive të tjera. Ndalimet e eksportit që vendosi SHBA për teknologjinë amerikane shtrihen nga softuerët deri tek pajisjet për prodhimin e chipave modernë kompjuterikë.

Për qeverinë kineze ishte një “shok” të kuptonte se sa e varur ishte nga softuerët perëndimorë, thotë Dean Cheng. Por eksperti nuk pret që SHBA do të bëjë lëshime në këtë drejtim. Ndërkohë që Uashingtoni përpiqet të lirojë veten dhe aleatët nga importet kineze, Pekini kërkon bisedime me SHBA për të qetësuar investitorët, mendon Noah Barkin. Ekonomia më e madhe e botës dhe e dyta më e madhe janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën, megjithëse interesat strategjike në konkurrencë për hegjemoninë botërore po i përplasin gjithnjë e më shumë superfuqitë. Megjithatë për Barkin tregtia është aktualisht një burim i stabilitetit.

Përplasje për të drejtat e njeriut

Në takimin në Pekin përballen me njëri-tjetrin dy sisteme politike tërësisht të ndryshme në vlerat që mbartin. Demokracia më e fuqishme e botës ndodhet përballë regjimit autoritar më të fuqishëm të botës. Një duzinë organizatash për të drejtat e njeriut kanë nënshkruar para vizitës një deklaratë, ku kërkojnë nga ministri i Jashtëm amerikan, Blinken të prekë një sërë problemesh në lidhje me situatën e të drejtave të njeriut që fillon nga uigurët deri tek liria e shtypit./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA