Video/ I pastrehu ngjitet në çatinë e fabrikës në flakë për të shpëtuar 25 qen në Peru (fotot)

17/06/2023 17:24

I riu kolumbian i pastrehë tashmë kërkon një vend pune ‘si shpërblim’.

Një i pastrehë po lavdërohet si hero ne Peru pasi u ngjit në një ndërtesë tre-katëshe të përfshirë nga flakët për të shpëtuar 25 qen që ishin bllokuar në tarracën e saj.

Një zjarr kishte nisur në fabrikën e riciklimit në Gamarra pranë kryeqytetit Lima që kishte nisur të përhapej dhe në rezidencat fqinje të premten.

Shtetasi kolumbian Sebastián Arias tha për rrjetin Latina Televisión se po shkonte drejt vendit ku qëndron zakonisht pranë një ure, kur pa ndërtesën në flakë dhe kafshët në tarracën e saj.

Në një video të veprimit të guximshëm tregohet i riu që ngjitet me shkathtësi deri në katin e tretë nga ballkonet dhe më pas thyen një dritare, teksa brohoritet nga rezidentët.

Arias arrin më tej t’i afrohet tarracës ku ishin të bllokuar qentë që përpiqeshin të shpëtonin nga tymi i zjarrit.

Ai drejtohet më pas te cepi i ndërtesës ku një qen rri në majë të kollonës, e merr atë në duar dhe e lëshon te njerëzit që presin poshtë.

Më pas një nga njësitë e zjarrfikësave ngritën një shkallë drejt kateve të larta duke ndihmuar Arias në iniciativën e tij.

Kolumbiani, i cili dhe vetë ka tre qen, vendosi të rrezikonte jetën e tij megjithë frikën e lartësive, pasi nuk dëshironte të shihte qentë që digjeshin nga flakët.

“Nuk rezistova dot”, tha më pas Arias për mediat, duke shtuar se qeni i fundit që shpëtoi kishte të djegura në pelushin e tij dhe e kishte kafshuar në dorë kur ai shkoi ta merrte.

“Qeni i fundit më frikësoi se dukej sikur do të më sulmonte, kështu që e kapa në mënyrë agresive nga qafa dhe më kafshoi”, shton ai.

Arias nuk ka parë familjen e tij prej muajsh që kur është larguar nga shtëpia e tij në  Medellín në Kolumbinë fqinje.

Por ai thotë se kërkon të qëndrojë në Peru dhe shpreson që dikush me zemër të mirë t’i ofrojë një punë.

“Dua të largohem nga rruga, mund të punoj dhe mësoj shpejt”, thotë ai.

Mediat raportonin se shumë nga qentë e shpëtuar janë adoptuar tashmë nga vendasit.

FOTO GALERI
1/5
Një i pastrehë po lavdërohet si hero ne Peru pasi u ngjit në një ndërtesë tre-katëshe të përfshirë nga flakët për të shpëtuar 25 qen

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA