Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin i është rikthyer propagandës duke fajësuar Ukrainën për pushtimin e Rusisë.

Gjatë fjalës së mbajtur në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg, pavarësisht aneksimit të Krimesë në vitin 2014 dhe mbështetjes së forcave separatiste pro-ruse në Donetsk, Putin e konsideroi sulmin ndaj Ukrainës si një vendim të marrë në rrethana të jashtëzakonshme.

“Lufta në Ukrainë filloi nga regjimi ukrainas me mbështetjen e sponsorëve të tyre perëndimorë në vitin 2014. Bombardimet filluan atëherë në Donbas – kjo është luftë”- thotë Putin.

“Unë u detyrova të përdor forcat e armatosura në përgjigje të kërkesës së Donjeckut për të ndaluar këtë operacion të armatosur”- vazhdoi më tej lideri rus.

Putin thotë se vendet perëndimore vazhdojnë me “përpjekjet e tyre maksimale për të siguruar që Rusia të ketë një humbje taktike në fushë”.

Megjithatë, sipas Putinit, Ukraina nuk ka parë ndonjë sukses në fushën e betejës dhe ai “nuk ka dyshim” se shumë pajisje ushtarake perëndimore do të shkatërrohen në vend.

Putin tha se ekziston rreziku për një përshkallëzim serioz të luftës. Sipas liderit rus, NATO mund të tërhiqet më tej në konflikt dhe nuk ka dyshim se tanket perëndimore tashmë “digjen” në Ukrainë.

I ndalur te sulmet në kufirin e Rusisë, Putin thotë se forcat ruse mund të shkatërrojnë pjesë të Kievit qendror në shenjë hakmarrjeje, por ka zgjedhur të mos e bëjë këtë për “arsye të ndryshme”.

Shefi i Kremlinit thotë se sulmet ndërkufitare, për të cilat Ukraina ka mohuar përgjegjësinë, kanë tentuar të shpërqendrojnë forcat e Moskës nga frontet e tjera. Sa i përket armëve bërthamore, Putin tha se Rusia mund të përdorte “teorikisht” armë bërthamore nëse do të kishte një kërcënim për integritetin ose ekzistencën e saj territoriale, por që nuk kishte nevojë.

“Armët bërthamore janë bërë për të garantuar sigurinë tonë në kuptimin më të gjerë të fjalës dhe ekzistencën e shtetit rus, por ne… nuk kemi nevojë të tillë (për t’i përdorur ato)”, shton ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA