Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë, Serbi, dha urdhër për kryerjen e hetimeve ndaj tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe, më 14 qershor.

Sipas autoriteteve serbe, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse.

Tre policëve, B.S. R.Z. dhe M.SH., iu komunikua sot masa e paraburgimit nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë, por ende nuk është e qartë kohëzgjatja e saj.

Qeveria e Kosovës pretendon se policët janë “rrëmbyer”, pasi, sipas saj, ata janë arrestuar në territorin e Kosovës. Serbia e mohon këtë, duke thënë se ata janë arrestuar në territorin e saj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se më herët se, mesa duket, prokurori në Serbi i ka hedhur poshtë akuzat për terrorizëm kundër tre policëve të arrestuar, ndërsa i ka mbajtur në fuqi vetëm akuzat për posedim të paligjshëm të armëve. Kurti i bëri komentet gjatë një adresimi në Forumin e Prespës në Strugë.

“Dua ta falënderoj Departamentin amerikan të Shtetit që kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës. Kjo është rruga përpara”, tha ai.

“Së pari, këta policë duhet të kthehen, por, në të njëjtën kohë, bashkësia ndërkombëtare duhet ta dënojë me vendosmëri dhe qartë agresionin e Serbisë në Kosovë”, shtoi Kurti.

Ai, po ashtu, tha se NATO-ja duhet ta dënojë shkeljen që, sipas tij, i bëri Serbia Marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund luftës në Kosovë më 1999. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tyre./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA