Miroslav Lajçak pohon se ka informacione se ku po mbahen tre policët e rrëmbyer në kufirin mes Kosovës e Serbisë.
Mediat në Prishtinë citojnë të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Europian të pohojë se për këtë çështje, ka kontakte me të dyja palët, variantet e të cilave nuk përputhen.
“Ne presim që NATO-ja të mbledhë faktet, kemi kërkuar që secila palë të paraqesë fakte sepse kemi dy histori kontradiktore”, është shprehur ai.
Kosova dhe Serbia nuk kanë besim tek njëra-tjetra në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, pohoi me tonë të qarta zhgënjimi zyrtari i lartë europian.
“Të dyja palët na thonë: le të bëjë pala tjetër atë që ju dëshironi ta bëjë, dhe ne premtojmë që do ta bëjmë pjesën tonë. Por, nuk funksionon ashtu. Filozofia jonë është që ‘ju duhet të bëni diçka, që të merrni diçka në këmbim dhe besimi të ndërtohet hap pas hapi”, ishte komenti i tij.
Më herët shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell, deklaroi se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.
“ Po përpiqemi të kuptojmë saktësisht se çfarë ka ndodhur në incidentin e ndalimit të tre policëve nga Kosova. Jemi në kontakt të ngushtë me Komandën e KFOR-it dhe me të dyja palët, në mënyrë që të shohim se çfarë çoi saktësisht në këtë arrestim”, është shprehur ai.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, pritet të zhvillojë sot një konferencë online me gazetarët, në të cilën pritet të diskutojë zhvillimet e fundit në Kosovë e Serbi. Shtetet e Bashkuara kërkuan të enjten lirimin pa kusht të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës të ndaluar nga forcat serbe.
“Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të shtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi”, tha zëdhënësi i DASH-it, Mattheë Miller, i cili shtoi gjithashtu se “të dyja palët duhet të ndjekin planin prej tre pikash që ka paraqitur BE-ja”.
Top Channel